Festivali nuk duhej të ngjante me Big Brother: Këtë vit ishte tmerr, amatorizëm i skajshëm!

albina kelmendi festivali

Teksti i prezantimit të këngës ishte i zbehtë, pa timbër, pa poezi, pa letërsi, thjesht një lexim rutinë

– Është bërë e modës që në evente të tilla të gjitha meritat i marrin këngëtarët, ata paraqiten edhe si kompozitor dhe si autor tekstesh.

– Në këngët e sotme shihen tekste pa lidhje, tekste pa figura letrare, pa mesazh

– Teksti i një kënge është poezi dhe poezia është krijimtari e mirëfilltë letrare ku fjala ngrihet në art.

-Festivali i Këngës i kushtohet këngës, poezisë, instrumentave, dhe jo veshjeve.

– Kurrsesi vëmendjen në një event të tillë nuk duhet ta marrë veshja, por kënga, muzika, teksti, instrumentet, prezantimi elitar…

Nga Albert Zholi

Para disa ditësh u mbyll Festivali i 61-të Këngës në RTSH. Data 19 dhjetor, 2022, ora 21 shënoi fillimin e Fest’61 të RTSH në Pallatin e Kongreseve. Hapjen e Festivalit e bëri drejtorja artistike njëherazi moderatorja Arbana Osmani.
Para nisjes së prezantimit të 26 këngëve pjesëmarrëse ku siparin e çeli këngëtarja Enxhi Nasufi me këngën “Burrë”, Arbana ndali edhe tek përjetimet personale lidhur me kompeticionin më të rëndësishëm muzikor shqiptar.
Ky Festival solli para publikut 26 këngë ku 16 ishin artiste, të cilët performuan në festival dhe 10 të tjerë ishin artistë të rinj dhe grupe alternative. Por çfarë u vu re në këtë Festival të shumë diskutuar?

Festival rinor

Së pari ajo që ra në sy ishte se Festivali kishte më shumë të rinj. Kjo ishte një gjetje sinjifikative, pasi ata do jenë e ardhmja e këngës shqiptare. Ata do jenë konkurrues për shumë vite dhe do t’i hapin dyert vendit të shqiponjave për në Festivalin Evropian të Këngës.
Por Festivali është edhe histori, është art specifik, është burim emocionesh positive, që të shtyjnë drejt një krenarie kombëtare. Përpos shumë anësh positive duhet thënë paçka si me rezerva se nuk kishte një alternim brezash.
Kënga shqiptare ka këngëtarë të të gjitha moshave që në vite, që nga fillimi ka pasur një kombinim këngëtarësh të brezave të ndryshëm. Kjo është një detyrë detyruese për drejtuesit, pasi vetëm me një kombinim të tillë shkëmbehet eksperienca, lidhen pazgjidhshmërisht brezat, dhe alternohen cilësitë individuale me ato kolektive.
Sigurisht që e reja duhet të jetë dominuese, por kurrsesi për të lënë në hije këngëtarë, që kanë bërë epokë në këtë Festival të mezipritshëm nga shqiptarët për dekada.

Arti i fjalës…

Fjala është pjesa themelore e komunikimit gojor midis njerëzve. Ka vite që në disa emisione moderatorja Arbana Osmani ka sjellë freski, surpiza, emocion, ankth në prezantimet e saj. Mund të themi se mbetet një ndër moderatoret shqiptare më të suksesshme.
Por Festivali i Këngës në RTSH është gjë krejt tjetër. Në këtë Festival në dekada kanë moderuar korifej të aktrimit dhe të fjalës poetike shqiptare. Ka një histori të pabesueshme ky Festival. Ka një histori që të mbërthen, të lë pa fjalë dhe të përcjell një mesazh të pazakontë.
Në sistemin monist ky Festival pritej sikur të ishte një finale e Kampionatit Botëror të Futbollit. Ndaj dhe përgjegjësia ishte e madhe, por dhe po kaq e madhe ishte dhe mobilizimi dhe përgjegjësia e moderatorit.
Në Festivalin e 61-të,  për fat të keq nuk pati letërsi, nuk pati fjalë poetike, por pati vetëm lexim. Me gjithë përpjekjet elegante të moderatores Osmani, libreti i apo teskti i përcjelljes së këngës tek spektatori ishte i nivelit amator. Pa asnjë fjali poetike, pa asnjë fjalë magjike, pa asnjë letërsi të mirëfilltë.
Një tekst i zbehtë, pa emocion, pa frazeologji të lëmuara letrare. Thjesht ishte një prezantim mekanik, që mund ta realizonte kushdo.
Tek një Festival i tillë prezantimi, teskti i këngës, kënga dhe melodia duhen të jenë në harmoni dhe të sjellin një pasqyrim aq hyjnor sa spektatori duhet të befasohet. Fjala, kënga, piktura, drama janë energjia e ndjesisë emocionale njerëzore, që në evente të tilla duhet të jenë në sinkron dhe të të shtangin nga bukuria dhe madhështia e tyre. Thënë thjesht, teskti i promovimit të këngës ishte i zbehtë, pa timbër, pa poezi, pa letërsi thjesht një lexim rutinë. 
Festivali është format tjetër dhe nuk duhet të binjakëzohet me “Big Brother Albania”.

Veshja ekstravagande

Në përkufizimin klasik “Veshja është fibra dhe materiali i tekstilit i veshur në trup. Mbajtja e veshjeve është kryesisht e kufizuar tek qeniet njerëzore dhe është një tipar i pothuajse të gjitha shoqërive njerëzore.
Shuma dhe lloji i veshjeve të veshura varet nga lloji i trupit, konsideratat sociale dhe gjeografike, vendi, koha, eventi… Disa veshje mund të jenë specifike për gjininë. Po cilat ishin veshjet në këtë Festival?!
Sigurisht kishte veshje korrekte, moderne, të bukura, me stil elegant, por kishte dhe veshje të tepruara, jo vetëm me nuancë ngjyrash, por me ekstremitete zbulimesh, të çarash dhe prerjesh jashtë çdo formati.
Festivali i Këngës nuk është sfilatë mode, nuk është konkurs bukurie, nuk është paraqitje formale trupi duke zëvëndësuar muzikën, këngën. Festivali i Këngës i kushtohet këngës, poezisë, instrumentave, dhe jo veshjeve.
Kurresi vëmendjen në një event të tillë nuk duhet ta marrë veshja, por kënga, muzika, teskti, instrumentet, prezantimi elitar. Çuditërisht pas natës së tretë dëgjova që shumë të rinj theksonin se ajo ishte veshur kështu, ajo kishte zbuluar këtë pjesë të trupit apo atë. U ndjeva keq.
Në Festival të rinjtë duhet të diskutojnë për zërin, tesktin, muzikën, instrumentat dhe harmoninë e tyre. Ajo  që duhet të diskutohet në fund të një eventi të tillë është veshja. Ja pra që në Festival veshja mori një rëndësi parësore…

Nata e tretë dhe “harresa”

Në natën e tretë të Festivalit mbase nga neglizhenca mbase me dashakeqësi ndodhi “harresë” e organizatorëve, të cilët, për një pjesë të këngëve, nuk i përmendën as kompozitorët dhe as poetët e këngëve të përzgjedhura.
Është bërë e modës që në evente të tilla të gjitha meritat i marrin këngëtarët. Ata paraqiten edhe si kompozitor dhe si autor tekstesh.
Në një këngë, ai që vendoset e/ i fundit është këngëtari, por ai merr 90 përqind të suksesit.
Në gjithë vitet e demokracisë duhet thënë me keqardhje se autorët e teksteve thuajse nuk përmenden fare. Ata lihen në hije si jabanxhinj, si njerëz që janë në radhë për të prerë biletë dhe jo që janë zjarri i suksesit.
Kur lind një këngë dy janë bashkëshortët, kompozitori dhe autori i tekstit. Këngëtari/ ja është fëmija. Ata të dy e lindin këngëtarin, ata e zgjedhin dhe i dhurojnë krijesën.
Në biseda ndër vite me autor tekstesh si Jorgo Papingji, Arben Duka, Lefter Cipa, Zhuliana Jorganxhi, Agim Doçi, Koçi Petriti, etj, kam mësuar se ai që hedh shinat e një kënge mund të jetë kompozitori sikundër mund të jetë dhe poeti.
Pra kur një poet krijon një poezi të bukur kërkon një kompozitor për bashkëpunim ose e kundërta. Kur ngjizet brenda tyre dhe merr formën e plotë kënga ftohet këngëtari.
Në këngët e sotme shihen tekste pa lidhje. Tekste pa figura letrare, pa mesazh. Teksti i një kënge është poezi. Dhe poezia është krijimtari e mirëfilltë letrare ku fjala ngrihet në art.
Poezia bëhet nga poet dhe jo nga kushdo që ka qejf të bëj bejte apo vjersha vetëm që të kërcas “Bam” , “Bom”. Shumica e teksteve në këngët e këtyre eventeve janë thirrje, mbledhje fjalish, mbledhje apo shumëzim i disa vargjeve të këngëve të ndryshme të mëparshme (edhe nga vetë këngëtarë), amalgamë fjalësh fjalish pa lidhje, ku vetëm letërsi nuk ka.
Poezi ka brenda tri elementë si gjini letrare: Anën artistike, anën estetike dhe mesazhore (mesazhin). Në shumicën e këtyre teksteve nga autor anonim kurrë nuk mund të gjesh më shumë se dy elementë të domosdoshëm të krijimtarisë së mirëfilltë letrare. Tekstet e këngëve nuk të ngjallin emocion. Ato vetëm poezi nuk kanë përbrenda.

Disa probleme të muzikës dhe këngës shqiptare jashtë Festivalit

Sipas trumbetimeve të vetë këngëtarëve sidomos pas festivaleve duket se kënga shqiptare po kap majat, por në fakt muzika shqiptare është në krizë. Fillimet e demokracisë sollën një vërshim të paparë këngëtarësh ku s’u dihej fillimi dhe sot s’ka se si të dihet fundi.
Filluan lloj lloj rrymash të panjohura muzike (këngësh) që më parë nuk ekzistonin (dhe shumë mirë që dolën në dritë), por u shtuan në progresion gjeometrik numri i këngëtarëve anonim!
Perfeksionimi i metodave të orkestrimit dhe përmirësimit të zërit në regjistrim, bënë që edhe gjithkush që kishte një dorë lek, dhe pak zë që të dëgjohej deri tek shkallët e pallatit të merrte në dorë mikrofonin dhe të drejtohej në shtëpitë diskografike duke dhënë urdhër: Dua të bëj një Album (klip).
Tregu u mbush me kaseta, disqe apo dhe videoklipe nga më të paparat dhe më të padëgjuarat saqë për një dhjetëvjeçar Shqipëria u rendit ndër vendet e para në Europë për numrin e këngëtarëve por edhe të disqeve në treg.
Edhe dëgjuesi, njeriu, klienti i dëshiruar pas muzikës së mirëfilltë shqiptare e humbi orientimin në këtë zallamahi të panumërt këngëtarësh dhe disqesh sa dukej se ishe në tregun amerikan të muzikës dhe jo në Shqipërinë me banorë sa një lagje e Neu York-ut.

Për mëse një dekadë këngët me muzikë shqiptare u strukën nga “frika” e tallavasë, apo muzikës së huaj të adoptuar me tekste shqip. Dëgjoje dhe dëgjon këngë me muzikë greke, rumune, italiane, por me tekste shqip!
Por mbingopja e tregut, lufta e heshtur mes shtëpive diskografike për mbisundim duke luajtur në kurriz të muzikës shqiptare duket se tejkaloi parashikimet e tyre, por sidomos të dëgjuesit, pasi më nuk mund të luhej me kartën e viteve të para të demokracisë, ku etja për çdo gjë të huaj kishte pushtuar çdo qelizë të shoqërisë shqiptare. Koha bëri të vetën.
Muzika shqiptare duhej të kthehej në shtëpinë e saj. Dhe vërtet pesë vitet e fundit në shumë lokale, dasma, evente muzikore, koncerte etj…dëgjohet muzikë shqiptare dhe vetëm shqiptare. Veshët na u rehatuan, muzika jonë popullore sikur u kthye nga mërgimi, kthesa në muzikë në emër të muzikës autoktone mori vendin që i takon…

Superpozim, apo “playback”

Një fenomen po aq i shëmtuar sa dhe plagjiatura e huaj, një fenomen që po humb ndjesinë, kontaktin e drejtpërdrejt, seriozitetin, konkurrencën e drejtpërdrejtë, që s’dallon profesionistin nga amatori, që të lë pa mend nga gafat në skenë apo në emisione…Pra lindën fenomene të tjera si: superpozim, apo “playback”.
Në “Kënga Magjike” apo në “TopFest”, për ca kohë mbizotëruan këto lloj instrumenta të regjistrimit apo të paraqitjes së këngës, ku këngëtari në skenë ngjan më shumë si një “Klloun cirku” se sa si një këngëtar.
Kjo mënyrë konkurrimi në spektakle të tilla ka humbur vërtetësinë e zërit, ka humbur zërin e drejtpërdrejt, ka humbur komunikimin real me publikun, ka humbur ndjesinë e vërtetë që të jep kënga, emocionin me ngjyrën e ëmbël të muzikës shqiptare.
Pra kur dëgjon apo merr pjesë në evente të tilla ku këndohet me superpozim, apo “playback” është njëlloj sikur të marrësh në treg djathin me qumësht pluhur të servirur për djathë safi Gjirokastre, apo domaten e serave për domate të fushës.
Këtu krahasimet mund të bëhen pafund. Pra këto lloj aktivitetesh të rëndësishme të muzikës shqiptare, përveçse përcjellin një komercionalizëm absolut, kurrsesi s’mund të thuash se sjellin një risi në këngën apo muzikën shqiptare.

Një falsitet, i stisur, jo origjinal, jo organik si OMGJ …

E vërteta është, se në disa manifeste (e theksoj disa) të muzikës sonë të bukur nuk ka ende një këngëtar të skenës shqiptare (që merr pjesë), i/e cili/cila nuk ka pasur rastin të këndojë me superpozim dhe të mos përcjellë tek dëgjuesi të kundërtën e asaj çka përmban kënga, teksti, muzika në tërësi si magji e qetësimit shpirtëror.
Shikon skena gjigante fosforeshente, me drita verbuese, me hapësira boshe, por vetëm orkestër nuk shikon. Pra çdo gjë duket një falsitet, e stisur, jo origjinale, jo organike si OMGJ.
Shikon këngëtarë/e që i vijnë rrotull skenës, bëjnë lëvizje akrobatike që do t’ja kishte zilinë çdo akrobat profesionist, kërcejnë si valltarë kualitativ, harxhojnë shumë energji, por një gjë nuk bëjnë: Nuk këndojnë.
Nuk nxjerrin zë, atë zë për të cilin shkojnë në skenë. Më shumë duken në skenë si valltar, akrobat, pjesëmarrës në sfilat, si dancist, si top model/e, por kurrsesi si këngëtar. Zëri i drejtpërdrejtë është ai që të mbush, të emocionon, të ngjeth mishtë, të motivon, të sjell pranë skenës duke lënë çdo punë.
Pa këtë zë real, të drejtpërdrejtë jetësor, plot nuanca që del nga thellësia e shpirtit, pa improvizim, pa falsitete ka nevojë dëgjuesi i sotëm i këngës së bukur shqiptare. Pra superpozimi e ka kthyer këngën nga një magji në një gënjeshtër. E ka kthyer në një arenë që mund të futet kushdo dhe të konkurrojë.
Kënga shqiptare nuk e meriton një çmim të tillë. Kënga është poezi, është histori, është qetësi shpirtërore, është energji për të parë më së miri të vërtetën. Me këto lloj aktivitetesh ajo po shterpëzon dhe humb elegancën e të qenit vetvetja.

-Kënga fituese?

Sigurisht nuk kam të drejtë të gjykoj fituesen. Juria profesionale e tha fjalën e vet dhe unë bashkohem me këtë gjykim…
Fituesja e çmimit të parë të Festivalit ishte Elsa Lila me këngën “Evita”, Elsa Lila u rikthye në Festival pas 25 vitesh. Në vend të dytë u rendit Albina dhe familja Kelmendi me këngën “Duje”, ndërsa në vendi i tretë u mor nga 2 Farm me këngën “Atomike.
Rovena Dilo u zgjodh fituesja e çmimit të Karrierës, në këtë edicion të 61 të Festivalit të Këngës.
Ky çmim jepet për ata artistë që kanë kontriubuar për më shumë se dy dekada në muzikën shqiptare. Erma Mici është shpallur fituesja e çmimit “Artisti më i mirë debutues”, çmimi i parë që u nda në natën finale të Fest 61.

ObserverKult

Lexo edhe:

ZEFINA HASANI: “VËSHTIRË TA BESOJMË QË ALBINA KELMENDI KA FITUAR ME VOTA KORREKTE NË FESTIVALIN E RTSH-SË”