Festivali që pritet rikthejë gjallërinë në bregdetin e Jonit

Vjen festivali i ri artit bashkëkohor, por jo vetëm kaq… “Porto Palermo Festival 2021”, do të emocionojë me tingujt e muzikës përgjatë bregdetit të Jonit, në Kalanë e Porto Palermos.

Festivali vjen si projekt ide e violinistit shqiptar Olen Çezari, ku do të marrin pjesë jo vetëm artistë vendas, por edhe muzikantë të ardhur nga Italia, Spanja, Zvicra dhe Rumania. Në këtë festival veçohet pjesëmarrja e: Marsela Çibukaj, baritoni Gëzim Mushketa, këngëtari italian Eden Loren, fitues “Sanremo Young”, Elina Duni, Daniele Di Bonaventura, Laura Bretan këngëtare rumune etj…

“Historia na lidh si një urë, ne të dy popujve dhe e filluam, e menduam, e konceptuam, dhe avash-avash unë gjeta mënyrën edhe pse në një periudhë të vështirë. Futa në lojë dashmirësit e muzikës në Shqipëri, që janë ata që na mundësuan të bëjmë këtë që po bëjmë. Në 16 korrik, do të jetë kori polifonik i Himarës. Kjo do të ndodhë dhe ditën e dytë, ku do të jetë e ftuar dhe Marsela Çibukaj. Në javën e tretë do të kemi nga italian Daniele Di Bonaventura, që është konsideruar si një dishepull i Astor Piazzollës”, – tha Olen Çezari.

Për ambasadorin italian në Shqipëri Fabrizio Bucci, festivali është një nismë e rëndësishme kulturore që i jep shumë artit dhe ushqen marrdhënien e ngushtë mes dy vendeve tona.

“Kjo nismë vjen në një moment të veçantë. Falë idesë së Olenit, që u paraqit një vit më parë, le të shërbejnë nisma të tilla kulturore dhe muzikore, si një rifillim i mbarë për të gjithë ne, për një fillim të mbarë sepse sporti dhe muzika na bashkon dhe na çon përpara. Por, do doja ta falënderoja Olenin, në veçanti, si një artist i madh, për krijimtarine dhe rolin e tij në bashkimin e dy popujve tanë”, – tha Bucci, transmeton ‘konica.al’.

Festivali i muzikës “Porto Palermo Festival 2021” do të zgjasë për një muaj, çdo fundjavë, nga 15 korriku, për të vijuar edhe gjatë gushtit, për mbarë artdashësit.

LEXO EDHE: Ministria e Kulturës mbështet Festivalin e Teatrove në Ferizaj