
Letërsi krahasimtare
Nga Ismail Syla
Që në fillim të kësaj eseje krahasimtare duhet bërë sqarimin ekzistencial: Përdorimi i librit të Peter Handke-s, dhe vetë shkrimi distancohet nga simpatia e tij për diktatorin Millosheviq nga njëra anë. E, nga ana tjetër, libri lexohet si tekst i një gjeniu linguistik, siç u vlerësua pas marrjes së Çmimit Nobel për letërsi në vitin 2019. Ismail Kadare ndonëse nuk e mori zyrtarisht këtë çmim ndërkombëtar është autor i një letërsia plotësisht të nobelueshme.
Vepra e autorit austriak Peter Handke, “Wunschloses Unglück” e botuar në vitin 1972, në pamundësi për të shqipëruar fjalët gjermane, e përkthyer në shqip njësoj si titulli në anglisht Sorrow Beyond Dreams – “Një brengë përtej ëndrrave” nga Elda Ymeri, konsiderohet si një nga rrëfimet më prekëse dhe më me ndikim të letërsisë autobiografike bashkëkohore. Libri shkruhet pak javë pas vetëvrasjes së nënës së tij, Maria Handke, në nëntor të vitit 1971.
Në muajin prill 2013 në Paris, Ismail Kadare shkroi rrëfimin për Nënën, vdekur në vitin 1994, me titullin “Kukulla”, të botuar në kuadër të librit me motive të Parisit “Mëgjeset në Kafe Rostandt” (Onufri 2014). “Kukulla” e Kadaresë është një prej kërkimeve më intime dhe psiko-analitike të autorit mbi figurën e nënës së tij, Hatixhe Dobi, si dhe mbi mjedisin socio-kulturor që formësoi vetëdijen e tij artistike.
Të dyja veprat janë monumente letrare autobiografike kushtuar figurës së nënës nga djemtë e tyre shkrimtarë, por ato ndërtohen mbi vizione ekzistenciale, stilistike dhe kulturore të ndryshme. Të dy autorët heqin dorë nga trillimi i pastër për të shkruar mbi nënat e tyre reale (Maria Handke te Handke dhe Hatixhe Dobi te Kadareja). Handke nuk e përmend emrin e nënës. Kjo mungesë e shndërron atë në përfaqësuese të shumë grave të brezit të saj. Ajo është një person konkret, por njëkohësisht edhe figura e gruas së varfër evropiane, jeta e së cilës është përkufizuar nga normat shoqërore.
Kadare e quan nënën “Kukulla”. Edhe këtu emri i vërtetë zëvendësohet, por efekti është tjetër. Nofka thekson brishtësinë, bukurinë, pafajësinë dhe pasivitetin e saj. Ajo duket si një qenie që të tjerët e vendosin dhe e lëvizin sipas dëshirës. Megjithatë, fjala “kukull” ka edhe një hije të pakëndshme: mund ta zvogëlojë nënën në një objekt të bukur, pa zë dhe pa gjallëri. Pikërisht këtu lind tensioni i prozës: Kadare dëshiron ta përjetësojë nënën, por vetë mënyra si e portretizon dëshmon se nuk kishte arritur ta njihte plotësisht.
Të dyja nënat janë qenie tejet të brishta që vuajnë trysninë e mjedisit rrethues: mjedisi provincial-fshatar austriak te Handke dhe shtëpia e madhe gjirokastrite me rregulla të ashpra e me vjehrrën buzëhollë e të mençur te Kadareja. Të dyja gratë paraqiten si figura që nuk përshtaten plotësisht me normat e ashpra që u imponohen nga shoqëria ose familja.
Nëna pa ardhmëri (Handke)
Që në krye të librit Handke përballet me sfidën e aftësisë, përkatësisht pamundësinë e shprehjes dhe formësimit gjuhësor të vdekjes, pa nevojë trillimi dhe fantazie. Synimi i tij është ta kthejë këtë “vdekje të vullnetshme” në një ngjarje të kuptueshme, jo përmes meditimit, por përmes një analize gati sociologjike e psikologjike. Nëna e tij vjen nga një origjinë e varfër, ku breza të tërë kishin jetuar pa pronë, si argatë e punëtorë . Ajo që nga ardhja në këtë botë u soll në një rreth të mbyllur fatalist: nga lojërat e fëmijërisë, tek amvisëria, puna në kuzhinë, e deri te çasti tragjik i jetës. Kishte pasur që në fillim shkëndijën e brendshme për të arritur dije, dëshirën për emancipim, kur punoi si kameriere pranë liqenit, duke shijuar çaste pavarësie dhe gëzimi jetëshkurtra. Atë dritë në horizont ia vrau historia. Anschluss-i i vitit 1938, propaganda naziste, marshimet, radioja e Lufta e Dytë Botërore –si struktura absurde, nuk u ofronin njerëzve liri reale, as Maries, por vetëm rituale konformiste. Në këto rrethana ajo lidhet me një zyrtar gjerman të martuar. Ajo mbetet shtatzënë (aty ngjizet Handke) dhe ndërkohë martohet me burrin tjetër, pa dashuri, drejt një jete me izolim shtëpiak e varfëri. Ajo përjeton jetën e pasluftës, jetën në qytetin e madh gjerman, shkatërrimin, kthimin në fshatin austriak dhe betejat e përditshme me jetën, mungesat dhe konsolidimin në varfëri semiotike (varfëria e pastër kundruall varfërisë së mjerë – mjerimit), ngritjen ekonomike-teknologjike, sëmundjet neurologjike dhe shtytjen drejt vdekjes, kur sheh si mbyllen horizontet e jetës . Në këtë hark vuajtjeje dhe mjerimi i vjen një çast i iluminimit, një kthesë e vetme vetëdijësuese përmes takimit me letërsinë. Leximi i autorëve si Fallada, Hamsun, Dostojevski, Gorki, Wolfe dhe Faulkner nuk i shërbyen si ikje nga realiteti, por si pasqyrë ku ajo përkthente përvojën e vet jetësore. Vuajtjet, lëndimet fizike, keqtrajtimet dhe gjithë të këqija e jetës të përjetuara nga ajo, autori i mbarë-shtron me realizëm dhe lakuriqësi të plotë dhe pa mëshirë. Si rrjedhojë, nëpërmjet këtij portreti, vetëvrasja e nënës nuk shfaqet thjesht si një çrregullim mendor individual, por si akti i vetëm i vullnetshëm i lirisë përballë një jete të mbyllur nga provincializmi, tjetërsimi shtëpiak dhe mungesa e së ardhmes. Prandaj, vetëvrasja nuk paraqitet thjesht si akt individual. Ajo është pasoja përfundimtare e një jete ku dëshirat janë shtypur aq gjatë, sa gruaja nuk mund të përfytyrojë më një të ardhme.
Nëna e pashfaqshme, ezoterike (Kadare)
Kukulla e Kadaresë është nëna e cila ka relacione të shumëfishta me shtëpinë e madhe që e ha, me vjehrrën buzëhollë dhe të mençur, me djalin e talentuar që providenca e shtyn drejt famës dhe me ndërrimin e vendbanimit nga shtëpia e madhe në Gjirokastër në një apartament që ia zë frymën. Ajo vegjeton midis bashkëshortit, i cili është personazh i qetë në raport me të. Nuk është vetëm viktimë e një burri, por e një sistemi familjar, arkitektonik dhe kulturor ku gruaja duhet të përshtatet pa u pyetur. Nuk është vetëm hija e shtëpisë ajo që e vë në siklet Kukullën. Është prirja e djalit të saj gjithnjë e më mendjemadh (mikrobi i madhështisë) janë vicklat e provokatores Izmini, hija e resë së ardhshme Helenës.. Që në fëmijërinë dhe adoleshencën e të birit shqetësimi thelbësor i saj është ndjenja se i biri, kur të arrijë famën, e mohon (humon) të amën, si tepricë antikuar, dhe përqafon një nënë moderne, të kohës, një krijesë surrogate të modës. ( Ideja e fshehtë që rri varur në libër zbulohet në pyetjen e Kukullës, “a je tash Francez”, pas marrjes azil të autorit, duke zëvendësuar Nënë Shqipërinë me Nënën Francë). I biri, autori, e zhvillon dialogun me nënën me një gjuhë pothuaj arrogante (mjaft mama, turulu, fyrylyle, idiote) por edhe ndien një pickim në zemër kur i sheh kufizimet e saj, keqkuptimet, paqartësitë. Portreti i nënës, me ezoterizmin e saj i jep mundësinë autorit të krijojë shumë portrete, të zbërthejë karaktere. të tipologjizojë klane (Kadarenjtë, Dobatët, Gushët), të ironizojë me modelet tradicionale të akteve si fejesa, dasma, krushqia, virgjëria etj. Derisa te Handke kemi listën e shkrimtarëve që i lexon nëna e tij, te Kadare kemi bisedat dhe vëmendjen e Kukullës me fjalët e regjisorëve konkretë, Piro Mani dhe Kujtim Çashku. Ndër përshkrimet më të mira është zënia e situatave kur Kukulla del në pika të caktuara në qytet, ku “ndriste sytë” (f.276) nëpër hartën e kryeqytetit, ku shpërfaqte mondanitetin e saj. Frika e Kukullës nga diktatura është e neutralizuar, jo e drejtpërdrejtë. Ajo del e fuqishme dhe me ngjyra të errëta me rastin e bastisjes së apartamentit dhe marrjen e dosjeve të shrimeve letrare nga punonjësit e shtetit, pas arratisjes së Kadaresë në Francë, më 24 tetor 1990. Edhe qëndrimi i autorëve përballë trupit të vdekur të nënave ka një peshë të veçantë artistke, te Handke si qetësi ekuilibiri, ndërsa te Kadare si mundësi e thellimit të qasjes eseistike për fenomenin e vdekjes.
Librat përballë njëri tjetrit
Të dy autorët shkruajnë me njëfarë faji, por faji nuk shprehet njësoj. Handke e mbron veten nga dhembja përmes ftohtësisë së gjuhës. Ai analizon, klasifikon dhe përgjithëson. Në vend që të thotë drejtpërdrejt “vuaj për nënën time”, përpiqet të tregojë mekanizmin që e çoi atë drejt vdekjes. Distanca është një formë vetëmbrojtjeje. Kadare përdor ironinë, anekdotën dhe kujtimet familjare. Por pas tyre ndihet faji i djalit që u bë shkrimtar i famshëm, u largua nga shtëpia dhe nuk e kuptoi sa duhet nënën e vet. Ai e shikon atë nga pozita e një biri të rritur që kupton se, gjatë jetës së saj, e kishte marrë praninë e saj si diçka të zakonshme.
Te Handke kemi fajin e pafuqisë: nuk munda ta shpëtoja.
Te Kadare kemi fajin e mosnjohjes: nuk arrita ta kuptoja.
Proza e Handkes është e zhveshur dhe analitike. Ai ka frikë se fjalët e zakonshme mund ta banalizojnë tragjedinë. Prandaj vazhdimisht përpiqet të shmangë klishetë për nënën, vuajtjen dhe vetëvrasjen. Por has në një paradoks: për ta individualizuar nënën, duhet të përdorë një gjuhë që shoqëria e ka krijuar tashmë. Proza e Kadaresë është më figurative. Shtëpia, shkallët, dhomat, rrobat dhe gjestet familjare marrin kuptime simbolike. Nëna shfaqet herë reale, herë si figurë ëndrre. Rrëfimi përzien kujtesën, imagjinatën dhe ironinë, aq sa nuk mund të përcaktojmë gjithmonë ku përfundon dëshmia dhe ku fillon letërsia. Handke e zhvesh gjuhën për të arritur të vërtetën. Kadare e mitizon kujtesën për t’iu afruar së vërtetës.
Titulli Një brengë përtej ëndrrave shpreh një gjendje ku njeriu nuk është më në gjendje as të dëshirojë. Tragjedia e nënës qëndron në humbjen e çdo alternative: ajo nuk mund ta imagjinojë më një jetë tjetër. Titulli Kukulla e vendos nënën midis njeriut dhe objektit. Ajo është e bukur dhe e dashur, por njëkohësisht e heshtur dhe e drejtuar nga forca të tjera. Në këtë kuptim, “kukulla” është metaforë e pozitës së saj në familje, por edhe e mënyrës së paplotë me të cilën biri e ka ruajtur në kujtesë.
Përmasa e erudicionit
Nëse te Kadareja erudicioni e ngre nënën (Kukullën) në nivelin e mitit, tragjedisë antike dhe arkitekturës metafizike, te Handke ai funksionon sipas një mekanizmi të kundërt: si një aparat çmitizues, socio-gjuhësor dhe fenomenologjik.
Erudicioni i Handkes te kjo prozë shfaqet në disa rrafshe: Handke nuk mjaftohet me rrëfimin e fëmijërisë, por bën një autopsi të gjuhës së mjedisit rural/punëtor austriak. Erudicioni i tij filozofik mbi gjuhën (i ushqyer nga Ludwig Wittgenstein dhe Fritz Mauthner) shfaqet te mënyra se si ai analizon frazeologjitë, klishtetë dhe “fjalët e gatshme” të shoqërisë. Ai tregon se si nëna e tij u burgos nga formulat gjuhësore tradicionale (kështu e ka femra, vajzat janë për shtëpi), duke e kthyer fatin e saj individual në një pasojë të determinizmit gjuhësor.
Erudicioni i Handkes te ky tekst shfaqet si metateori e prozës. Gjatë gjithë librit, ai ndërpret rrëfimin për të pyetur veten: Si mund të shkruhet për vetëvrasjen e nënës pa e kthyer atë në kitch letrar, pa e romantizuar dhe pa e shfrytëzuar dhimbjen si material estetik? Kjo pyetje nuk është thjesht paaftësi për të shkruar, por një dije e thellë mbi teorinë e letërsisë dhe kufijtë e përfaqësimit artistik.
Përmes një analize me saktësi pothuajse shkencore-sociologjike, Handke e zhvesh biografinë e nënës nga patosi sentimental. Ai e vendos jetën e saj në kuadrin e historisë së klasës punëtore, regjimit nazist, pushtimit dhe pasluftës ekonomike. Nëna e tij nuk trajtohet si një heroinë abstrakte, por si tipologji sociologjike e femrës së privuar nga e drejta për të pasur një “biografi vetjake”.
Në vend që të përdorë klishetë e psikanalizës frojdiane për të shpjeguar depresionin dhe vetëvrasjen e nënës, Handke aplikon një fenomenologji të pastër të trupit dhe mendjes. Ai përshkruan me detaje klinike simptomat fizike të saj – dhimbjet e kokës, tërheqjen nga bota, apatinë graduale – duke treguar një njohje të thellë të psikologjisë ekzistenciale (mospërputhja mes qenies së saj të vërtetë dhe rolit socio-kulturor që iu imponua).
Erudicioni te kjo prozë nuk duket te citimet e shumta apo emrat e mëdhenj, por te përmbajtja me vetëdije. Handke zotëron kulturë sa të kuptojë se përballë tragjedisë së nënës, çdo teletisje retorike do të ishte e rreme. Prandaj, erudicioni i tij vjen i filtruar si një disiplinë e rreptë stilistike: proza është e zhveshur, e ftohtë, e saktë dhe e pamëshirshme. Ndërsa Kadareja te Kukulla e kthen nënën në një enigme përrallore brenda kështjellës së gurit, Handke te Një brengë përtej ëndrrave përdor erudicionin e tij teorik për të dekonstruktuar heshtjen e nënës, duke provuar se tragjedia e saj nuk ishte një mister mitik, por rezultat i një bote që nuk i la asaj as hapësirën dhe as gjuhën për të ekzistuar.
Në korpusin letrar të Kadaresë, vepra Kukulla, (ku autori zhvesh vetveten nga patosi i romaneve të mëdha epike) qëndron si një testament i ndjeshëm mbi zanafillën e talentit, ku humbja, kujtesa dhe e panjohura e afërt ndërthuren për të provuar se enigma më e madhe shpesh nuk ndodhet në histori, por nën çatinë ku jemi rritur.
Te Kukulla, erudicioni i Ismail Kadaresë nuk del si shfaqje pedante dijesh, por si një katalizator konceptual që e shndërron rrëfimin e thjeshtë autobiografik në një hapësirë universale filozofike e mitike. Prania e këtij erudicioni hetohet në disa rrafshe:
Kadare e vendos figurën e nënës dhe mjedisin e shtëpisë gjirokastrite brenda kornizës së teatrit antik. Nëna nuk analizohet vetëm si një prind real, por krahasohet me personazhet e dramave klasike, ndërsa shtëpia shndërrohet në një skenë tragjike ku ndërthuren ritualet e fatit, faji dhe e pashmangshmja. Raporti bir- at, përmes mitit të Edipit zbërthehet jo me vrasje, por pajtim (Buletini i verdhë, shenjë e mirëbesimit të sekretit midis babait dhe birit). Tragjeditë e Shekspirit i rikujtohen e rikrijohen (në faqet e fundit) si shkas për shkëndija krijuese, një lloj dehjeje estetike, nga vepra e këtij gjeniu anglez. Në një botë tjetër, Homeri është në rang-listë i njëmbëdhjeti, ndërsa Shekspiri i shtati.
Përshkrimi i hapësirës dhe i misterit familjar mbështetet në nocione të larta filozofike. Rrëfyesi e përkufizon lëmshin e enigmave shtëpiake si një ndërthurje midis “ezoterizmit të Pitagorës e Platonit”, duke i dhënë arkitekturës së gurit një përmasë metafizike dhe pashprehshmërisë së nënës përmasën e territ (ngjizja dhe vdekja) . Brenda pak faqeve, teksti lidh natyrshëm hapësira dhe figura të ndryshme të kulturës botërore e kombëtare: nga poezia ruse (matma, nëna-terr) e simbolet e klasit letrar francez (“Nëna Francë”, rruga “Rue de la Borde”) deri te tradita shqiptare përmes emrit të De Radës (Onore de Balzak) . Ngjarjet intime familjare (si ardhja e nuses në shtëpi apo heshtja e saj) lidhen me ngjarje të mëdha historike: viti 1933, bombarduesit britanikë të Luftës së Dytë Botërore dhe ndërhyrja e NATO-s mbi detin Adriatik në vitin 1999. Kjo zhvendosje e menjëhershme nga dhoma e gjumit te gjeopolitika globale dëshmon një vështrim të thellë erudit mbi kohën.
Erudicioni i Kadaresë shfaqet edhe në mënyrën se si ai e ngre folklorin e thjeshtë lokal (këngët e dasmave gjirokastrite si Nuse ku fute këmbët) në nivelin e një teksti të dytë semiotik, duke e trajtuar zakonin popullor si një kod kompleks psikologjik e kulturor.
Kjo pasuri referencash bën që Kukulla të mos mbetet thjesht një libër kujtimesh për nënën, por të funksionojë si një meditim i lartë mbi artin, kujtesën de përplasjen e qytetërimeve brenda vatrës familjare.
Përfundime
Të dyja veprat janë elegji për nënën, por edhe rrëfime për dështimin e bijve për ta njohur plotësisht atë. Handke shkruan një autopsi shoqërore të dëshpërimit: kërkon të zbulojë se si një grua humbi të gjitha mundësitë për të jetuar. Kadare shkruan një arkeologji të kujtesës familjare: kërkon të rindërtojë figurën e një nëne që kishte mbetur e fshehur pas brishtësisë dhe heshtjes. Nëna e Handkes vdes sepse bota nuk i la hapësirë për të dëshiruar; nëna e Kadaresë mbetet “kukull” sepse familja dhe vetë biri nuk arritën ta shihnin plotësisht si individ. Prandaj, Një brengë përtej ëndrrave është më tragjike dhe shoqërore, ndërsa Kukulla është më intime, ironike dhe e mbështjellë me mjegullën e kujtesës.
(Kjo ese është botuar në revistën HEJZA më 15 tetor 2026)
ObserverKult
Lexo edhe:






