Edhe jubileun e 20-të, Filarmonia e Kosovës e nisi në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.
Në koncertin e parë të vitit, orkestra nën dirigjimin e muzikantit me nam Maxim Vengerov, shënoi 250-vjetorin e kompozitorit gjerman, Ludwig van Beethoven.
Ky koncert mblodhi në skenë instrumentistët turq Özcan Ulucan në violinë e Birsen Ulucan në piano dhe violonçelistin hungarez, László Fenyő, raporton “Express” i KTV-së.
“Në Prishtinë, në mënyrë të papritur, kemi zhvilluar shumë miqësi me njerëzit. Diçka të tillë nuk e kam pritur, por ka një etje për artin e mirë këtu dhe e di që ka shumë nevojë për përkrahje dhe diçka të tillë meritoni si një qytet dhe si vend. Personalisht, do të bëj çfarëdo që do të kem mundësi”, ka thënë pianistja Ulucan.
“Sikur të kisha ndonjë mundësi financiare, në mënyrë të menjëhershme do ta ndërtoja një sallë koncertale për orkestrën dhe publikun. Është shumë e këndshme të shohësh këtë interesim dhe përpjekjet e mëdha të Filarmonisë për ta përmirësuar veten, në mënyrë që t’i japim muzikë të mirë këtij publiku. E di që ky regjion është i komplikuar dhe e di se politikanët kanë gjëra të tjera për të bërë, mirëpo kultura është diçka që në parim e krijon jetën dhe kulturën”, ka thënë Fenyő.
Krahas veprave të Bethoveenit, instrumentistët e njohur botërorë interpretuan edhe premierë veprën “Encore”(Ankor) e kompozitorit kosovar, Valton Beqiri.
Orkestra e Filarmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e fituesit të “Grammy”, Maxim Vengerov, luajti Simfoninë e 7-të të Bethoveen-it.
“Në pjesën e dytë kishin simfoninë e shtatë, që është një moment historik për çdo dirigjent dhe një sfidë e mirë për orkestrën. Filarmonia e Kosovës ka luajtur me entuziazëm të madh dhe me kënaqësi e dashuri. Atmosfera ishte e përndezur, një kënaqësi e madhe që të luaj për këta njerëz. Për çdo muzikant, të pasurit e një publiku që dëgjon me vëmendje, është shumë e rëndësishme”, është shprehur dirigjenti Vengerov.
Që nga viti 2000, institucioni më i lartë muzikor në vend, vazhdoi traditën e kultivimit të muzikës orkestrale, të ndërprerë dhunshëm nga regjimi serb në vitet e 90-a./ktv