Te Parku, afër Postës Kryesore në lagjen Dardania të Prishtinës mbrëmë nisi Kinemaja e Hapur “Film N’Park”. Ky event do të jetë për fëmijët mbi moshën 10 vjeç dhe çdo ditë deri më 1 shtator shfaqen filma të përzgjedhur nga Prifest, Anibar dhe Qendra Kinematografike e Kosovës. Kështu bëri të ditur drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi.
“Mbrëmë parku ishte i mbushur plot fëmijë, lumturia e të cilëve i jepte gjallëri tërë zonës. Ndjenjë e mirë që lokacionet publike të kryeqytetit po shndërrohen në hapësira ideale për aktiviteteve artistike dhe kulturore.”, tha Halimi në një postim në llogarinë e saj në Facebook.
Sipas saj, “Kinemaja e Hapur për Fëmijë është një mundësi e jashtëzakonshme që atyre t’u ofrohen filma që nxisin kureshtjen dhe imagjinatën e tyre, për mendim kritik.”
Kjo ngjarje organizohet nga Drejtoria e Kulturës me përkrahjen e UNDP Kosova.
ObserverKult
Lexo edhe: