Filmat e Kinostudios, propagandë apo pasuri kombëtare? A i përdori regjimi komunist filmat për të përcjellë ideologjinë e tij? Këto janë pyetjet e ngritura sot në emisionin “Shqipëria Live”, ku në panel ishin shumë të ftuar. Mes tyre ishte edhe aktori i mirënjohur, Luftar Paja.
Artisti i Popullit u shpreh se nuk duhet të ketë diskutime “duhet apo nuk duhet, janë apo nuk janë të leverdishme për vendin, pasi kanë marrë vulën e popullit.
“Duke përjashtuar ndonjë moment të tepruar ideologjik, këto filma edhe mund të rishikohen. Por jo në mënyrë absolute paska qenë propagandë e kohës. Nuk jam për ndalimin e atyre filmave. Në kohën që po jetojmë ne, çfarë nuk pret. Por historia është histori, dhe nuk kthehet prapa. Të arrijmë të gjykojmë bëri mirë apo nuk bëri mirë që Skënderbeu luftoi me turqit”, tha Paja.
Sipas artistit të Popullit, si në çdo sistem, edhe arti dhe kultura kanë ligjet e tyre, domethëniet e tyre.
“Unë di që artistët, që nga krijuesit kryesore e deri te ne interpretuesit, pasi i kishim shoshitur mirë, kemi vepruar shpirtërisht e mendërisht me ndërgjegje të pastër. Nuk pretendojmë se jemi të pastër, por kjo është një pasuri kombëtare. Brenda kësaj krijimtari kombëtare do ketë edhe gabime, por nuk jam me atë mendje se duhet të hiqen ato filma. Filmat shqiptarë kanë pasqyruar një realitet shqiptar ashtu siç e kanë kuptuar, kanë tepruar, po, por jo të hiqen”, përfundoi Paja./(gazeta shqip)
LEXO EDHE: KUR ISMAIL KADARE I SHKRUANTE LUFTAR PAJËS…