70-vjetori i Kinostudios u festua me ceremoni në Ministrinë e Kulturës të Shqipërisë. Në praninë e aktorëve e regjisorëve të njohur, qasja e festës ishte vetëm nostalgjia, vështirësitë me të cilat janë përballur artistët, por tema e ndjeshme e stisjes së realitetit filmik për diktaturë, propagandës dhe ideologjisë që ata përcjellin nuk u përmendën, pavarësisht kritikave që i paraprinë ceremonisë.
“A duhet të trajtohen ato si trashëgimi kulturore, apo duhet të shohim se në shërbim të kujt ishin dhe në parim ishin të shërbim të regjimit komunist dhe propagandës që bëhej në të gjitha fushat. Ne kemi pasur një studim për këtë. Për glorifikimin e Sigurimit të shtetit, glorifikimin e spiunimit, kur flitet për denigrimin e fesë e të klerikëve, këto janë tema të ndjeshme”, u shpreh Jonila Godole.
Para ceremonisë u sollën në vëmendje disa filma, që shkaktuan reagime kritike në një shoqëri që nderon edhe viktimat por edhe ata që glorifikojnë persekutorët.
Dualizmi publik dhe jopublik, për kohën e artë e të mallkuar të Kinostudios dhe rikrijimin e realitetit sipas qasjes së diktaturës mbetet mungesë përballje me të shkuarën pa nënvlerësuar artistët por duke mos harruar mesazhin. Drejtuesja e Insitutit per Demokraci Media dhe Kulture, ndalet pikërisht aty.
“Më e rëndësishme është përmbajtja e filmave dhe mesazhi që jepnin. Vetë Kinostudio është dekoruar nga presidiumi i Kuvendit Popullor pikërisht se bënte mirë punën që i kishin caktuar indroktrinimin e brezit të ri dhe shoqërisë shqiptare.
Kjo është Kinostudio në parim, gjithçka tjetër është kozmetikë, nëse flasim vetëm për lojë aktoriale. Ata mbeten si dëshmi, për sa kohë që shfaqen me veneracion e pa kritikë dhe për sa kohë që Ministria përpiqet ta mbyllë ose injorojë këtë debat”, ka deklaruar ajo.
Ndërsa vendi së fundi ka diskutuar raportet me ish-Sigurimin deri për figura të larta publike, dhe më herët shfaqjen e këtyre filmave me logo që shenjon propagandën, shpesh debatet nuk prodhojnë vendime as reflektime.
70-vjetori i Kinostudios solli në vëmendje dekadat e jetës së filmit në vend, por edhe rolin që pati vetë studioja filmike në jetën e vendit ndaj edhe sot, dualizmi mbetet: a janë filmat trashëgimi apo propagandë? Art apo manipulim i së shkuarës?/BalkanWeb
Lexo edhe:
MARGARITA XHEPA: NËSE I NDALOJMË FILMAT E KINOSTUDIOS MOHOJMË HISTORINË TONË DHE ARTISTËT E MËDHENJ
ObserverKult