Filmi i regjisorit Sam Mendes, “1917”, e fitoi çmimin kryesorë në edicionin e sivjetmë të ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve “BAFTA”, të cilat i ndanë Akademia Britanike e Filmit dhe Televizionit. Ky projekt u shpall “Filmi më i mirë i vitit” duke i mundur disa prej konkurrentëve të të njëjtës kategori edhe në garën për “Oscar”.
Gjatë mbrëmjes së përcjellë nga një numër i madh i yjeve të Hollywoodit, po ashtu u nderua regjisori i këtij filmi, Sam Mendes, si dhe drama e Luftës së Parë Botërore e morri shpërblime edhe në kategori dytësore si: “Zërimi më i mirë”, “Dizajni më i mirë”, “Kinematografia më e mirë” dhe “Efektet më të mira speciale”.
Filmi shumë i vlerësuar në këtë sezon të shpërblimeve, “Joker”, gjatë mbrëmjes së djeshme i fitoi gjithsej tri çmime, përfshirë këtu atë “Aktori më i mirë” për protagonistin Joaquin Phoenix, derisa aktorja Renee Zellweger e rrëmbeu çmimin “Aktorja më e mirë”, për portretizimin fantastik të ikonës Judy Garland në filmin biografik “Judy”.
Brad Pitt po ashtu u nderua në ceremoninë “BAFTA”, megjithëse nuk qe i pranishëm në ngjarjen e cila u mbajt në Londër. Aktori e fitoi shpërblimin “Aktori më i mirë në rol dytësorë” për rolin e tij në filmin “One Upon a Time in Hollywood”. Trofeun e aktorit në skenë e pranoi kolegia e tij në film, Margon Robie, e cila në emër të aktorit Pitt tha: “Brad ju falënderon për këtë çmim. Ai do t’ia vë atij emrin ‘Harry’, sepse është i lumtur ta marrë me vete në Amerikë”, duke iu referuar me shaka largimit të Princit Harry dhe gruas së tij Meghan nga familja mbretërore, për të jetuar në Amerikën Veriore. Ndërsa, me çmimin “Aktorja më e mirë në rol dytësorë” u nderua, Laura Dern, për rolin e saj në dramën “Marriage Story”. Aktorja e ka dominuar këtë kategori në të gjitha ceremonitë shpërblyese të këtij viti.
Filmi “Parasite”, një ndër favoritët e sigurt për të triumfuar sivjet në ceremoninë “Oscar”, gjatë mbrëmjes së diele u shpall “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj”.
Ndërsa, filmi i animuar i platformës “Netflix” dhe i lansuar gjatë festave të fundvitit, “Klaus”, e fitoi çmimin “Filmi më i mirë i animuar”./koha