Regjisori Roland Sejko me filmin e tij të fundit “La macchina delle immagini di Alfredo C.” do të marrë pjesë në “Orizzonti Extra”, një nga seksionet konkurruese të Festivalit Ndërkombëtar të Kinematografisë së Venecias. Festivali më i rëndësishëm italian i filmit shpalli programin e pjesëmarrësit e këtij edicioni që do të mbahet nga 1 deri më 11 shtator 2021.
Filmi “Macchina delle Immagini di Alfredo C.”, ka në qendër historinë e një telekameramani italian që mbërrin në Shqipëri me pushtimin fashist e mbahet “peng” bashkë me 27 mijë italianë të tjerë, ushtarë e civilë, pas çlirimit të Shqipërisë kur regjimi i Enver Hoxhës mbylli kufijtë.
Kështu Alfredo C., që për thuajse 20 vjet kishte punuar në shërbim të propagandës së regjimit fashist, për pesë vjet i bie vendit tonë kryq e tërthor e detyrohet të ushtrojë profesionin e tij, këtë radhë në favor të propagandës së regjimit komunist të ardhur në fuqi në Shqipëri. Çka shihet në filmin e Sejkos, mes filmimesh të reja e materialesh arkivore, është jeta e Alfredo C., historia e tij. E ndoshta edhe historia e mijëra të tjerëve.
“Historia e italianëve të mbajtur në Shqipëri nga regjimi komunist është thuajse e harruar, e mbuluar nga orteku i ngjarjeve që përfshiu qindra mijëra italianë në vendet e tjera. – thotë Roland Sejko që firmos regjinë, subjektin dhe skenarin e filmit (produksion Istituto Luce Cinecittà) – Çelësi i rrëfimit erdhi, siç ndodh shpesh, rastësisht. Kur mes dokumenteve të Arkivit Qendror Shtetëror të Shqipërisë, në një kërkesë riatdhesimi, vura re një emër që njihja: atë të kameramanit të Institutit Luce në Shqipëri, që në këto letra rezultonte një punonjës i Ministrisë së Kulturës Popullore Komuniste. Historia e kameramanit, e ndërthurur në mënyrë të pashmangshme me imazhet dhe historitë e të tjerëve, të jepte mundësinë për të shtjelluar disa tema: prania e gjithanshme dhe teknikat e propagandës, ndikimi i ngjarjeve historike mbi fatet personale, përgjegjësia e turmës dhe ajo e individit. Dhe një reflektim mbi përgjegjësinë – sot njësoj si në të shkuarën – e atyre që prodhojnë imazhe, dhe e atyre që i shohin”.
Roland Sejko ka emigruar në Itali në vitin 1991. Në vitin 1999 ka themeluar e drejtuar për 15 vjet “Botën Shqiptare”, gazetën e shqiptarëve në Itali, transmeton ‘diasporashqiptare.al’.
Prej vitit 1995 punon në Institutin Luce ku sot është drejtor editorial i Arkivit Historik Luce. Njohës i mirë e përdorues mjeshtëror i arkivave, ka shkruar e realizuar dokumentarë ndryshëm që shpesh kanë patur në qendër aspekte të ndryshme të marrëdhënieve Itali-Shqipëri. Ndër filmat e tij dokumentarë spikasin ‘Anija’, dokumentari i realizuar në 20-vjetorin e eksodit të madh të shqiptarëve në Itali, që është vlerësuar me çmimin prestigjioz David di Donatello 2013, si dokumentari më i mirë i vitit; “Pritja” (2015), dokumentar i frymëzuar nga vizita e Papa Françeskut në Shqipëri që rrëfen mohimin e lirisë së besimit, persekutimin e autoriteteve fetare, shkatërrimin e simboleve të kulteve fetare në Shqipërinë e diktaturës komuniste; “Shqipëria, Vendi përballë” (2010), që përmes imazheve të arkivave të Institutit Luce dhe të arkivave të filmit shqiptar, sjell historinë e Shqipërisë së viteve ‘900, histori e lidhur ngushtë me Italinë.