Filmi shqiptar me titullin “Vdekja e Kalit” pas restaurimit u shfaq për publikun me cilësi të re të figurës por edhe të zërit.
Filmi mban firmën e regjisorit Saimir Kumbaro, skenar të Nexhati Tafës dhe është realizuar më 1992. Timo Flloko, Rajmonda Bulku, Niko Kanxheri janë ndër aktorët të cilët interpretojnë në mënyrë të shkëlqyer në këtë film.
Ky film u mendua që të rishfaqet edhe një herë tjetër për publikun, por tashmë me këtë cilësi maksimale. Shfaqja u bë në kanalin zyrtar të YouTube të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit nga datat 19 deri më 26 maj. Për publikun ndërkombëtar u mendua edhe shoqërimi i tij me titra në anglisht.
Restaurimi dhe prezantimi i filmit “Vdekja e kalit” (The Death of a Horse) u mundësua falë programit sezoni i filmave klasikë (A Season of Classic Films), nismë e Shoqatës së Kinematekave Europiane – ACE (Association des Cinémathèques Européennes) ku AQSHF është anëtare prej 2019, dhe me mbështetjen financiare të programit Creative Europe MEDIA. Gjithashtu filmi u restaurua falë punës së ekspertit izraelit të restaurimit Shai Drori, dhe kineastit australian, Steven Kastrissios.
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit bën me dije se “gjatë ditëve që u shfaq ky film, u ndoq nga 2977 shikues kudo në botë. Shikuesit ndër të tjera ishin nga Japonia në Gjeorgji, të cilët e ndoqën online restaurimin Vdekja e Kalit, ndërsa vijnë lajme të mira nga partnerët tanë në laboratorin Cinegrell, Zvicër – ku po restaurohet filmi i parë artistik shqiptar, Tana”.
AQSHF falënderon Cinegrell dhe supervizoren Louise Burkart./atsh