Filmi i Rikard Ljarjas “që nuk u publikua kurrë”, dalin fotot nga sheshxhirimi

U publikuan, kohë më parë, për herë të parë foto e rrallë e vitit 1980 ku regjisori dhe aktori i famshëm Rikard Ljarja ka dalë në sheshxhirimin e filmit “Skëterrë ‘43” së bashku me skenaristin Bashkim Shehu dhe kompozitirin e filmit, Zef Çoba, diku në bregdetin e Shëngjinit ku u realizua pjesa më e madhe e atij filmi që vetëm një vit më pas u ndalua dhe u hoq nga qarkullimi, për arsye se skenaristi përfundoi familjarisht në burgjet e regjimit komunist…

Aktori dhe regjisori i famshëm i kinematografisë shqiptare, Rikard Karlo Ljarja (tashmë i ndjerë) më 1 prill duhej ta festonte ditëlindjen dhe kolegu ynë, gazetari dhe studjuesi i njohur Dashnor Kaloçi, mik i ngushtë i tij, për ta uruar, ka gjetur dhe publikonte ekskluzivisht për gazetën TemA një foto të rrallë, e cila i përket vitit 1980, ku Ljarja ka dalë në shesh-xhirimin e filmit “Skëterrë ‘43”.

Film që u ndalua vetëm një vit më pas, për arsye se skenarist ishte Bashkim Shehu, djali i tretë i ish-kryeministrit komunist të kohës, Mehmet Shehu, i cili pas ngjarjes së 18 dhjetorit të vitit 1981, (ku i jati mbeti i vrarë në rrethana misterioze), përfundoi familjarisht në burgjet e regjimit komunist.

Në foton në fjalë, Ljarja ka dalë në momente pune së bashku me dy kolegët e tij bashkëautorë realizues të atij filmi, skenaristin Bashkim Shehu që duket në krah të djathtë të tij, dhe kompozitorin e filmit Zef Çoba që qëndron pas tyre.

Fotoja është shkrepur gjatë punës për realizimin e atij filmi në verën e vitit 1980 në një nga shesh xhirimet e tij dhe konkretisht në bregdetin e Shëngjinit, fare pranë një reparti ushtarak që asokohe njihej si “Bateria bregdetare e Enver Kafesë”, komandantit të atij regjimenti që dha edhe një ndihmë të madhe për realizimin e atij filmi.

Bashkë me tre autorët realizues të atij filimi, në foton në fjalë duken dhe dy bashkëpunëtorë të tjerë tyre, njëri në krah dhe tjetri duke iu mbajtur një çadër të madhe plazhi për t’ju bërë hije atyre dhe kameras kryesore të filmit ku ata duken të përqendruar.

Sipas Kaloçit, e veçanta e kësaj foto është edhe paraqitja e jashtme e Bashkim Shehut, djalit të tretë të ish-kryemnistrit shqiptar të kohës, që shfaqet aty me flokë të gjata dhe me mustaqe, duke qenë kështu një foto unike e tij e para viteve ’90-të, që bëhet publike për herë të parë./aktoret.com