Marrëdhëniet e mira ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë në vitet ‘60-’70 rriten bashkëpunimin e dy shteteve mes tyre. Palët patën marrëveshje në industri, por ndikim pati dhe arti, e sidomos filmat shqiptarë u përkthyen në gjuhën kineze dhe patën jehonë shumë të madhe atje. “Ngadhnjim mbi vdekjen” dhe “I teti në bronx” patën jehonë të madhe, madje u vlerësuan në maksimum nga audienca.
“Ngadhnjim mbi vdekjen” u bë pjesë e filmit kinez “Electric Shadow” të vitit 2004, ndërsa deri në 1990 ishte filmi që kishte shitur më shumë bileta në kinematë kineze.
Ky sukses i filmave shqiptarë në Kinë u diskutua në emisionin “Shqipëria Live”, ku i ftuar ishte edhe regjisori i “Ngadhnjim mbi vdekjen”, Piro Milkani.
Ky i fundit u shpreh se filmi ka patur shumë sukses në Kinë, pasi trajtonte temën e luftës. “Populli kinez është shumë i ndjeshëm pasi ka vuajtur shumë nga okupacioni japonez. Kanë ndjerë shumë muzikën e filmit, ku vitet e fundit është kthyer në himnin e shoqatës së grave kineze që kanë luftuar kundër japonezëve”, tha Milkani.
Gjithashtu regjisori i njohur foli edhe për “Hijet Elektrike” në vitin 2004, realizuar nga kineastët kinezë. Filmi u shfaq për herë të parë në Evropë në festivalin e Roterdamit, ku ka edhe 8-10 minuta fragmente të shkëputura nga “Ngadhnjim mbi vdekjen”.
“Unë isha në atë festival për ta parë nga afër filmin. Regjisorja e filmit tregoi se ishte frymëzuar nga “Ngadhnjim mbi vdekjen” dhe më përshëndeti”, tha Milkani.