Filmi “Liqeni im” me skenar dhe regji të Gjergj Xhuvanit, çeli siparin e edicionit të të XVIII-të Festivalit Ndërkombëtar të Tiranës, TIFF. Për herë të parë, filmi “Liqeni im” u shfaq premierë në Amfiteatrin e Liqenit në kryeqytet.
Organizatori i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë, Agron Domi tha se ky realizim kinematografik vjen si një homazh në këtë edicion të 18-të për regjisorin e ndjerë, që u nda nga jeta një vit më parë në moshën 56-vjeçare.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti, u shpreh se ceremonia e hapjes së Tirana International Film Festival ishte ajo çka na duhej për t’iu larguar sado pak me mendje pandemisë e për të shijuar sërish magjinë e filmit në një kinema të hapur.
Amfiteatri do të jetë i hapur çdo pasdite për të shfaqur filma të rinj e emocionues.
Ajo tha se premiera e këtij filmi është një homazh për artistin, që na la pas një pasuri të tërë filmike dhe mesazhin e dashurisë për artin, për jetën.
Filmi “Liqeni im”, xhirimet për të cilin janë bërë në Prespë të Madhe është një dramë që tregon historinë e Kristos. Një djalosh inteligjent, i cili mendon shpesh për kuptimin e fjalisë “Liqeni im”, që është shkruar në tabelë nga mësuesi i tij.
Në film vjen historia e një djali që rritet dhe zgjedh rrugët në jetë mes dy brigjeve. Ai lundron mes tre kufijve, shqiptarë, grek dhe maqedonas, dhe mes tyre ai zgjedh rrugët, që do të mbajë në jetë.
Në role janë aktorë si Ariton Pollozhani, Tristan Halilaj, Elia Zaharia, Luiza Xhuvani, etj, por pjesë e kastit janë dhe emra aktorësh të huaj./ATSH