Filmi “Pa Vend” triumfon në Sundance Film Festival

Filmi “Pa Vend” nga Samir Karahoda ka fituar çmimin e jurisë si filmi më i mirë i shkurtër dokumentar në edicionin e vitit 2022 të Festivalit të Filmit Sundance.

Juria e filmave të shkurtër përbërë nga Penelope Bartlett, Kevin Jerome Everson, dhe Blackhorse Lowe, deklaruan:

“Xhiruar dhe montuar me mjeshtëri, me një ndjeshmëri sfilitëse që e bën atë pothuajse të ndihet si film narrativ, ky vëzhgim delikat, i saktë i një komuniteti të vendosur për të pasur sukses dhe të shkëlqejë në sportin e tyre të dashur, pavarësisht mungesës së burimeve, apo edhe një vendi për t’u mbledhur për lojë, flet fuqishëm për qëndrueshmërinë njerëzore. Çmimi i Jurisë së Filmit të Shkurtër dokumentar shkon për Pa Vend nga Samir Karahoda”.

Ekipi realizues i këtij filmi janë:

Regjia dhe Kinematografia: Samir Karahoda; Producent: Eroll Bilibani; Montazhi: Enis Saraçi; Dizajner zëri: Memli Kelmendi; Xhirues Zëri: Gëzim Rama; Protagonistët kryesor: Jeton Mazreku, Ermegan Kazazi dhe Rifat Rifati.
Filmi është produksion i shtëpisë filmike SK PICTURES dhe është mbështetur nga: Qendra Kinematografike e Kosovës, Komuna e Prishtinës, Komuna e Prizrenit, Mabetex Group, TV Arte, TV Yle, Dokufest dhe distribuohet nga Radiator IP Sales.

Kujtojmë se në edicionin e vitit të kaluar, filmi tjetër shqiptar “Zgjoi” i Blerta Bashollit mori tri çmimet kryesore në këtë festival.

ObserverKult


Lexo edhe:

“PA VEND”, NË GARË PËR ÇMIMIN E AKADEMISË EVROPIANE TË FILMIT