Me regji dhe skenar nga Zgjim Terziqi dhe producente Valmira Q. Hyseni, filmi i metrazhi të shkurtër “Salloni” që premierën botërore e kishte në muajin gusht në edicionin e 37-të të Rhode Island International Film Festival, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po vazhdon rrugëtimin në disa festivale ndërkombëtare.
Në “Lobo Fest – International Film Festival”, i cili po mbahet në Brasilia të Brazilit, në edicionin e 6-të të festivalit online të filmave “Colortape International Film Festival” në Brisbane të Australisë, në edicionin e 18-të të “Dhaka International Film Festival” që mbahet në Dhaka, në Bangladesh, dhe jo vetëm, në disa nga këto festivale është edhe garë.
Por, para pak minutash producentja e filmit, Valmira Hyseni ka njoftuar se filmi “Salloni” do të ketë premierën evropiane në edicionin e 37-të te Festivalit të filmit në Torino. “Salloni” do të jetë pjesë e programit special “All you need is short”, së bashku me 6 filma të tjerë, duke u shfaqur në datë 23 nëntor.
“Ne jemi të kënaqur të njoftojmë se do të kemi premierën tonë Evropiane në Festivalin e Mrekullueshëm të Filmit në Torino. Ne gjithashtu do të garojmë për disa çmime të Tregut të Shkurtër në Torino. Ne inkurajojmë të gjithë ata që janë në Torino për festivalin, të vijnë në ekran dhe të na takojnë”, thuhet në njoftim.
“Salloni” është një film i shkurtër, 14 minuta, i cili trajton një temë sociale në Kosovë nëpërmjet komedisë së zezë. Tek sa një nuse është duke u rregulluar për natën e dasmës në një sallon bukurie, familja dhe vjehrra e saj janë duke diskutuar për një vrasje të mbrëmshme ku një grua vrau burrin e saj. Ato kanë variante konfliktuoze të rrëfimit, por një gjë është e qartë, një grua e vrau burrin e vet. Cilat janë motivet dhe arsyet e saj, dhe çka në fakt ndodhi, mbetet të zbulohet. Ky film vë në dy pozicione një martesë me rezultate fatale dhe ditën e dasmës së një vajzë që ka ardhur të rregullohet në një sallon bukurie.
Në këtë film luajnë aktorët: Armond Morina, Irena Cahani, Xhejlane Tërbunja, May-Linda Kosumovic, Anisa Ismajli, Njomëza I. Fetiu, Bibi Qena, Sheqerie Buqaj, Marigona Pervetica, Lurni A Krasniqi dhe Jara Saqipi.
Pjesa tjetër e ekipës përbëhet nga: ko-producentet -Agon Syla dhe Petrit Ukëhajdaraj, drejtor fotografie- Almir Đikoli, inzhinier i zërit- Pellumb Ballata, montazher – Essat Fejza, muzika- Andrra, skenografia- Burim Arifi dhe Blendina Xhema, kostument- Hana J. Zeqa, grimi- Fiona Abdullahu, kolorist- Faris Dobrača, operatori i zërit- Nok Selmani, asistente e kostumeve- Lana Çitaku, asistent i kamerës- Milot H. Bunjaku, fotografe në set- Dea Buleshkaj, ndriçues- Arton Ademi, asistent skene- Azem Hoti dhe Blin Katona, best boy- Donat Krasniqi, grip- Driton Pacolli.
Filmi është mbështetur nga MKRS dhe Komuna e Prishtinës.