Festivali i Filmit në Kanë përfundoi zyrtarisht me ceremoninë e ndarjes së çmimeve në të cilën juria e konkursit të këtij viti emëroi filmat dhe shfaqjet më të mira të festivalit.
Spike Lee shërbeu si president i jurisë së bashku me regjisorin Mati Diop, Mylene Farmer, Maggie Gyllenhaal, Jessica Hausner, Mélanie Laurent, Kleber Mendonça Filho, Tahar Rahim dhe aktorin Song Kang-ho, shkruan IndieWire.
Në një fitore historike, Julia Ducournau fitoi çmimin kryesor të mbrëmjes “Palma e Artë” për filmin e saj “Titane”, të cilin Neon e publikon këtë vit. Kjo e bën atë regjisoren e dytë në historinë e festivalit 74-vjeçar që ka fituar çmimin kryesor të Festivalit të Filmit në Kanë, pas Jane Campion në vitin 1993 për filmin “The Piano”.
Meqenëse festivali i vitit 2020 u anulua për shkak të pandemisë, filmi i fundit që mori “Palmën e Artë” (çmimi kryesor i festivalit) ishte “Parasite” i Bong Joon Ho në vitin 2019 – një film që shkoi deri në “Oscars”.
Juria e këtij viti e kishte shumë të vështirë për të zgjedhur, duke marrë parasysh që konkurruan filma nga emra të njohur si: Leos Carax, Wes Anderson, Julia Ducournau, Paul Verhoeven, Asghar Farhadi, Sean Baker, dhe shumë të tjerë.
Siç është traditë, fituesit e mëdhenj të festivalit do të shfaqin filmat e tyre edhe një herë për ata që janë ende në Francë të dielën.
Sivjet në Festivalin e Kanës konkurroi edhe filmi me produksion kosovar, “Pa vend” i regjisorit Samir Karahoda, i cili fatkeqësisht nuk arriti ta fitojë “Palmën e Artë” për filmin më të mirë të metrazhit të shkurtër (Në vend të tij, ky çmim shkoi për filmin “Tian Xia Wu Ya”).
Kjo është lista e plotë e fituesve në Festivalin e Filmit në Kanë, edicioni i 74-të:
Çmimi kryesor “Palma e Artë”: “Titane”
Grand Prix: “A Hero” dhe “Compartment No. 6”
Çmimi i jurisë: “Ahed’s Knee” dhe “Memoria”
Aktorja më e mirë: Renate Reinsve, “The Worst Person in the World”
Aktori më i mirë: Caleb Landry Jones, “Nitram”
Regjisori më i mirë: Leos Carax, “Annette”
Skenari më i mirë: Ryusuke Hamaguchi, “Drive My Car”
Çmimi i Kamerës më të mirë: “Murina” nga Antoneta Alamat Kusijanović
Filmi më i mirë e metrazhit të shkurtër: Tian Xia Wu Ya by Tang Yi
Çmimi special i jurisë për filmin e metrazhit të shkurtër: “Ceu de Agosto” nga Jasmin Tenucci. /Telegrafi