Filmi “Zgjoi” është në konkurrencën ndërkombëtare të filmave të metrazhit të gjatë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit ‘Guanajuato’ në Meksikë.
Ditë më parë u njoftua se Kosova ka propozuar filmin “Zgjoi” për në “Oscars 2022”.
Dhe pas këtij lajmi, duket se ky film nuk do të ndalet pasi raportohet se rrugëtimi i tij do të vazhdojë në Meksikë.
Këtë e ka bërë të ditur protagonistja kryesore e filmit, Yllka Gashi në Facebook.
“Zgjoi” nuk ka të ndalur! Rrugëtimi i tij vazhdon në Meksikë në edicionin e 24-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Guanajuato që mbahet nga 17 deri më 26 shtator në qytetet Leon, San Miguel de Allende & Irapuato”.
“Zgjoi” është në konkurrencën ndërkombëtare të filmave të metrazhit të gjatë”, ka thënë ajo.
Ky film ndërkohë ka fituar tri çmime në festivalin prestigjioz të filmit “Sundance Film Festival”. I njëjti po ashtu u shpërblye me çmimin kryesor edhe në festivalin më të madh të filmit në vend, Pri Film Fest.