Berlin, 21 nëntor – Fituesi austriak i çmimit “Nobel” në letërsi, Peter Handke, të mërkurën ka mbrojtur mbështetjen e tij të zëshme për serbët në luftërat e viteve ’90 në ish-Jugosllavi, por ka thënë se ai “asnjëherë nuk është përkulur” para Slobodan Milosheviqit.
Vendimi i muajit të kaluar i Akademisë suedeze ka nxitur zemërim në Ballkan dhe më gjerë për shkak të adhurimit që Handke kishte pasur për mujsharin e ndjerë serb.
Përveç veprave të tij letrare, Handke është kritikuar gjerësisht për fjalimin e tij me rastin e funeralit të Milosheviqit më 2006, i cili vdiq duke pritur gjykimin për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, shkruan sot Koha Ditore.
Duke folur për javoren gjermane “Die Zeit”, Handke ka thënë se ai “sigurisht” duhej të merrte pjesë në funeralin e Milosheviqit më 2006.
“Ai kishte votuar kundër shpërbërjes së Jugosllavisë në një prej zgjedhjeve të fundit. Funerali i tij ishte edhe funeral i Jugosllavisë”, ka thënë Handke. “A kanë harruar njerëzit që ky shtet ishe themeluar kundër Reichut të Hitlerit?”
Në të njëjtën kohë, Handke ka thënë se ai “nuk është përkulur asnjëherë para tij, as brenda, as jashtë”.
“Një gazetar ka shkruar se gjoja unë kam shprehur simpati për Milosheviqin. Asnjëherë!”, ka thënë shkrimtari për “Die Zeit”.
Ai ka qenë po ashtu i ftohtë për tekstet e tij, ani pse është akuzuar për minimizim të krimeve serbe të luftës në librin e tij të botuar më 1997 “Një udhëtim te lumenjtë: Drejtësi për Serbinë”.
“Asnjë fjalë që kam shkruar për Jugosllavinë nuk mund të denoncohet, asnjë e vetme. Është letërsi”, ka thënë ai.
Asokohe “raportimi për Serbinë ishte i bajatshëm dhe i njëanshëm”, ka thënë Handke për “Die Zeit”.
“Ishte drejtësi për Serbinë. Si mundi Gjermania të njihte Kroacinë, Slloveninë dhe Bosnjë-Hercegovinën kur rreth një e treta e njerëzve në ato territore ishin serbë ortodoksë ose myslimanë”, ka thënë Handke.
“Serbët duhet papritur të ishin një popull inferior në vendin e tyre? Kjo shkaktoi luftë”, ka shtuar ai.
“Pse askush nuk e thotë se Perëndimi është përgjegjës, pse nuk u thirr menjëherë një konferencë e paqes?”
Në fillim të këtij muaji gratë boshnjake nga Srebrenica – vendi i plojës më të tmerrshme gjatë zhbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë – protestuan në kryeqytet, Sarajevë, kundër dhënies së “Nobelit” për Handken.
Ato kanë thënë se do të rikthehen çdo javë tek Ambasada e Stockholmit derisa të shfaqet çmimi më 10 dhjetor.
Rreth 8 mijë burra dhe djem boshnjakë janë masakruar në Srebrenicë nga forcat serbe në korrik të vitit 1995.
Gratë nga qyteti kanë mbajtur fotografi të Handkes, për të cilat kanë thënë se janë bërë gjatë vizitës së tij më pak se një vit pas vrasjeve.
“Çmimi ‘Nobel’ për Handken është votë në mbështetje të poshtërimit tonë nga mohuesit e gjenocidit”, kanë shkruar ato në një letër drejtuar mbretit suedez, të cilën e përcollën përmes ambasadorit suedez në Sarajevë/AFP.