Fjalë që ndezin netët/ Mbrëmje poetike në nder të Ndre Mjedës në Kukël

Në Qendrën Muzeale “Ndre Mjeda”, u zhvillua mbrëmja poetike “Fjalë që ndezin netët”, e mbushur me vargje, muzikë dhe referime në kuadër të “Ditëve të Mjedës”, aktivitetit të përvitshëm që nderon jetën dhe veprën e rilindasit të madh.

Në këtë natë të veçantë, artdashësit u rikthyen pranë trashëgimisë së Mjedës, poetit që i dha gjuhës shqipe bukuri, rregull dhe një tingull të kristaltë poetik.

Ngjarja mblodhi bashkë personalitete të kulturës, studiues, pedagogë, shkrimtarë, artistë dhe shumë të ftuar të tjerë, të cilët, përmes fjalëve përshëndetëse, interpretimit poetik, referimeve dhe muzikës, risollën Mjedën para publikut si një figurë që mbetet e afërt dhe e përjetshme, një zë i pastër që vazhdon të frymëzojë breza.

Përgjegjësi i Qendrës Muzeore “Ndre Mjeda”, Dom Nikë Ukgjini, thekson se figura të tilla janë sinonim i atdhedashurisë dhe identitetit kombëtar, ndërsa Rektori i Universitetit të Shkodrës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, ndau lajmin për nisjen e një bashkëpunimi të ri me Akademinë e Jezuitëve në Krakov të Polonisë.  

Në skenë u interpretua pjesa “Kuvend me Mjedën” nga Kol Kunora, duke i dhënë hapjen e duhur artistike mbrëmjes.

Për krijimtarinë e Mjedës dhe aspekte të veçanta të veprës së tij referuan: Xhahid Bushati, Liridon Mulaj, Donika Dabishevci, Ismet Kallaba dhe Frano Kulli, ndërsa pjesa muzikore e mbrëmjes u pasurua me interpretimet e Savjana Vjerdhës, Rita Gjekës, Glerdit Turmetaj, Vladimir Dodas dhe Rozafa Shpuzës.

Manifestimi i moderuar nga poetja Valbona Muaj Luka, u mbyll në një atmosferë të ngrohtë shoqëruar me verë dhe gështenja, duke e lënë pas një mbrëmje të paharrueshme kushtuar kujtimit dhe madhështisë së Ndre Mjedës.

ObserverKult