Fjalët e fundit të Adelinës: Nuk më ndihmuan, do më gjejnë në varr

Lamtumira e fundit në Facebook e Adelina Sejdinit, shqiptares 47-vjeçare, përpara se të hidhej nga ura Garibaldi mbrëmjen e së shtunës ishte: “Nuk më ndihmuan. Sonte do më gjejnë brenda një varri. Mua të gjallë nuk do më gjejnë më. Do i jap fund sonte. Faleminderit atyre që më deshën”.

28 tetorin e shkuar, me anë të një gjesti ekstrem proteste ajo kishte shkuar në Viminale dhe i kishte vënë flakën vetes. Pasi doli nga spitali, më 5 nëntor Adelina u rikthye tek Ministria e Brendshme italiane, gjithnjë në protestë.

Në një video live në Facebook, ajo tregoi se ishte ndaluar nga disa agjentë të policisë. E dëshpëruar, asaj iu shua edhe shpresa e fundit. Adelina shkoi në urën Garbaldi të Romës dhe u hodh. Alarmi i dhënë nga një mik i saj që telefonoi autoritetet duke i paralajmëruar se një grua do të hidhej, nuk mundi të parandalonte vdekjen e saj.

Një vetëvrasje e ardhur nga depresioni, thonë hetuesit, që mund të çojë edhe në hapjen e një hetimi për të përcaktuar rrethanat e vdekjes.

Miqtë e saj ndërkohë u janë drejtuar me një letër presidentit Mattarella, për t’i kërkuar që Adelinës t’i njihet nënshtetësia italiane për të cilën luftoi aq shumë.

“Adelina mori me vetë të gjitha shpresat dhe kurajon me të cilën përballoi shumë sfida. Kurajo me të cilën kishte nisur betejën kundër kancerit të gjirit, seancat e shumta të kimioterapisë, ndërhyrjet kirurgjikale, kurajon me të cilën kërkonte që nënshtetësinë që do t’i kishte dhënë mundësinë të niste një jetë të vërtetë në Itali, këtë shtet që qëkur kishte mbërritur e kishte ndihmuar dhe mbështetur në luftën me mafian shqiptare dhe kundër dhunës ndaj grave”, shkruajën mediat italiane.

Gjithnjë sipas këtyre të fundit, goditja e fundit Adelinës i kishte ardhur teksa shkoi për të rinovuar lejen e qëndrimit në Pavia, ku iu ishte ofruar nënshtetësia shqiptare. Një vend që nuk do kthehej më kurrë, mbi të gjitha pasi rrezikohej sepse 47-vjeçarja  kishte ndihmuar në arrestimin e 40 personave dhe denoncimin e 80 të tjerëve.

Ata që e kishin ndihmuar kishin qenë karabinierët që ajo i quante “engjëjt e saj mbrojtës”. Ata nuk e kishin braktisur kurrë dhe me dashamirësi e quanin “Adelina 112”. Kontributi i saj i kishte lejuar një zgjatje të lejes së qëndrimit për arsye të jashtëzakonshme, po nënshtetësia italiane nuk iu dha kurrë./tvklan.al

LEXO EDHE: E TMERRSHME: HISTORIA TRONDITËSE E ADELINA SEJDINIT, SHQIPTARJA QË U PËRDOR DHE U BRAKTIS NGA ITALIA