Fjalët prekëse të bijës së Ali Osekut: “Thoshte se regjimi e dënoi pa arsye”

Piktori i hapësirës, i qiejve dhe i ngjyrave, që u dënua nga regjimi famëkeq se solli frymën moderniste në tablo, Ali Oseku është përcjell nga familjarë, miq, kolegë e bashkëpuntorë të një jete në përtejbotë.

Në ceremoninë e homazheve mbajtur në Univeritetin e Arteve, e bija Aisel tregoi se piktori përsëriste se regjimi e dënoi pa arsye, ndërsa miqtë e shtrenjtë Najada Hamza, Artan Peqini, Petraq Papa thanë se ai do të mbetet i përjetshëm për të njerëzishmen dhe kontributin e vyer në artin pamor.

I ëndërronte qiejt, lirinë e pakufijshme e tashmë është nisur në udhën e pakthimtë. Piktori gjenial Ali Oseku është përcjell në përtejbotë nga miqtë, familjarët, kolegët e bashkëpunëtorët e një jete mes lotësh e një dhimbje të thellë.

Njeriut që regjimi tentoi t’i ndërpriste pikturimin, duke e dënuar në kampin e Spaçit ngase solli një frymë të re në artin pamor, nuk ia këputën dot flatrat e lirisë. Mes kujtimesh e bija Aisel tregon se artisti përsëriste se ishte dënuar pa arsye.

Me gazin në fytyrë e ndër sy, Ali Oseku diti të dhuronte dashuri të pakushtëzuar për miqtë. Mit i artit pamor dhe i humanitetit, piktori edhe në gramat e fundit të jetës nuk hoqi dorë nga substancialja, nga e qenësishmja e tij, piktura.

Ekspozitën e fundit e titulloi “E gjithë drita që mund të shohim” , ndaj me gjasë në qiej Ali Oseku do të gjejë dritën e plotë, atë që ia mohuan në tokë.

Videon mund ta shikoni duke klikuar KËTU:/ syri.net

ObserverKult


exo edhe:

NDAHET NGA JETA PIKTORI I NJOHUR, ALI OSEKU

Është ndarë nga jeta sot piktori i njohur Ali Oseku, një prej artistëve më emblematik të artit shqiptar në 50 vitet e fundit.

Oseku nuk arriti të fitonte dot betejën me sëmundjen e rëndë.

Ali Oseku ka lindur në vitin 1944 në Tiranë. Kreu LA “Jordan Misja” për pikturë dhe ndoqi studimet e u diplomua në ILA (1969).

Në vitet 1970–1973 realizoi skenografinë dhe kostumet për operën “Traviata”, baletin “Historia e një kënge”, dramat “Viti ‘61″, “Orfeu zbret në Ferr”, “Yll pa emër”.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


SHKRIMI PREKËS I VISAR ZHITIT PËR ALI OSEKUN: SOT AI VIZATOI VDEKJEN E TIJ. IKU…

ALI OSEKU: – E di si vizatoj unë? – më pyeti…

Nga Visar Zhiti

Sot ai vizatoi vdekjen e tij. Iku…

Një nga piktorët më të fuqishëm në artin shqiptar, – po shkruajnë gjithandej.

Kujtoj që e burgosën dikur… Por s’ka të dikurshme, edhe e dikurshmja është e tanishme…

Kur më çuan në burgun e Spaçit, ai s’ishte më aty, por flisnin mirë për të dhe unë e di se sa vlerë ka të flasin mirë dhe në burg…

Në librin tim, në burgologjinë “Rrugët e ferrit” kam një si vinjetë për të, që më duket se shpjegon diçka…

Piktor dhe në ferr :

– Po piktorin Ali Oseku e gjete ti? – më pyeti.

– Jo, – i thashë.

– E di si vizatoj unë?- më pyeti ai një ditë. Zëri i Astritit Xh. (që po më tregonte) u bë i lagësht, si i ujitur. I thashë: jo. Dhe piktori Ali Oseku më mori gazetën “Drita”, e mbaja për ca poezi, dhe, siç po të thosha, ja, më tha Ali Oseku, kështu vizatoj unë, dhe i mbushi anët e bardha të gazetës me gra me kostume popullore. Sa bukur! 

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult