Fjalimi prekës i Sheryl Sandberg: Nga dhimbja e humbjes së bashkëshortit, tek motivimi për studentët…

Teksti i mëposhtëm është shkëputur nga fjalimi i zyrtares operative të Facebook, Sheryl Sandberg gjatë ceremonisë së diplomimit të studentëve të “Universitetit të Kalifornisë”, në Berkeley, ceremoni e cila u mbajt muaj më parë.

E trishtuar për humbjen e bashkëshortit të saj një vit më parë, ajo sërish mundohet të jetë e fortë dhe t’i motivojë studentët që të shohin çdo vështirësi si një mundësi për të mësuar e për t’u rritur.

“Do të përjetoni përherë situata të vështira. Çështja nuk është nëse do t’ju ndodhin situata të tilla, pasi dihet se do t’ju ndodhin. Ajo që ka rëndësi, është se çfarë do të bëni më vonë. Sot do t’ju them se çfarë mësova nga vdekja. Mësimet për shpresën, fuqinë dhe motivimin brenda nesh që nuk do të zhduket kurrë.

Një vit e 13 ditë më parë, humba bashkëshortin tim, Dave. Ishim në Meksiko për të festuar 50-vjetorin e lindjes së një mikeshës sonë të familjes. Unë u shtriva të bëja një sy gjumë, ai shkoi të bëntë stërvitje. Ajo që ndodhi, ishte gjëja më e paimagjinueshmja për mua në ato momente. Shkova më vonë në zonën e palestrës dhe e gjej të shtrirë në dysheme.

Mora avionin e parë të mundshëm për të shkuar në shtëpi dhe për t’u thënë fëmijëve se i ati i tyre kishte ndërruar jetë. Pashë më vonë arkivolin e tij ta ulnin në tokë dhe ai ka qenë momenti më i dhimbshëm për mua.

Ajo që pasoi, ishte një zbrazëti që të pushton zemrën dhe mushkëritë. Dhe nuk të lejon të marrësh frymë, apo të mendosh. Vdekja e Dave më ndryshoi në shumë mënyra. Mësova për thellësinë e dhimbjes dhe zbrazëtinë e humbjes, por gjithashtu mësova se kur jeta të zhyt thellë, mund të gjesh forcën të dalësh në sipërfaqe dhe të marrësh sërish frymë.

Një ditë, një miku im psikolog, Adam Grant, më sugjeroi të mendoja se gjërat mund të shkonin shumë më keq se aq. “Më keq se kaq? Je i çmendur?” i thashë. Ai më pa në sy dhe më tha: “Dave mund ta bënte arrestin kardiak duke ngarë makinën bashkë me fëmijët e tu si pasagjerë”. Në atë moment u shokova, nuk doja ta mendoja atë gjë dhe ndieja një falënderim të thellë ndaj Zotit që fëmijët e mi ishin ende gjallë, transmeton ‘bota.al’.

Muajin e shkuar, 11 ditë para përvjetorit të vdekjes së tim shoqi, shkova duke qarë në shtëpinë e një shoqes sime. I thashë se një vit më parë ai nuk e dinte se i kishin mbetur vetëm 11 ditë jete. Ajo që dua t’ju pyes është: “Çfarë do të bënit ju, nëse do të dinit se do të kishit vetëm 11 ditë jete të mbetura?”.

Jetoni çdo ditë të jetës suaj në maksimum, sepse çdo ditë ka vlerë të pazëvendësueshme. Po qëndroj përpara jush një vit pas dhimbjes më të madhe të jetës sime. Di vetëm dy gjëra të vërteta, që jetoj ende me dhimbjen e humbjes së tim shoqi dhe që jam falenderuese për çdo frymëmarrje e frymënxjerrje.

Është ironike që humbja e bashkëshortit tim më ka ndihmuar të jem më mirënjohëse. Më tepër mirënjohëse për dashurinë e përjetuar nga miqtë e mi, nga familja ime, dhe për buzëqeshjet që marr nga fëmijët e mi.

Kërkesa ime për ju është që ta keni këtë mirënjohje dhe të jeni falënderues jo në ditë të lehta si kjo e sotmja, por edhe në ditët më të vështira. Uroj ta jetoni jetën tuaj, çdo ditë të jetës suaj, me kënaqësi dhe duke i dhënë kuptim.

Uroj ta jetoni jetën pa dhimbje dhe të jeni falenderues për çdo hap që hidhni. Kur të përballeni më vështirësitë dua që t’i shihni ato si mundësi për të mësuar dhe për t’u rritur. Në kushte të tilla, ju mund të bëheni realisht versioni më i mirë i vetes suaj.

Ne e zbulojmë realisht humanizmin tonë, dëshirën për të jetuar dhe aftësinë për të jetuar, në marrëdhëniet me të tjerët. Ji gjithmonë aty për miqtë dhe familjarët e tu. Ndihmojini të tjerët të ngrihen me ju dhe festoni për çdo moment lumturie”.

————————

Lexo edhe:

FJALIMI EMOCIONUES I JAY SHETTY: “BOTA KA NEVOJË TË JESH VETVETJA”