Fjalori i Shqipes në komision, Akademia e Shkencave mungon/ Zhupa: Do të kërkojmë bllokim të fondeve

Akademia e Shkencës u vu dje nën akuza të ashpra nga përfaqësuesit e opozitës, pasi përfaqësuesit e saj nuk u paraqitën në komisionin ku ishin thirrur për çështjen e Fjalorit të madh të Gjuhës Shqipe. Kryetarja e Komisionit, Ina Zhupa e ka quajtur të paprecedentë mungesën, por nga Akademia e Shkencave, për Report TV sqaruan se Komisioni parlamentar ishte njoftuar zyrtarisht, se kryesia e këtij institucioni ndodhet për një vizitë jashtë vendit.

“…duhej të ishin paraqitur dhe të kishin sjellë material, nuk ka ndodhur. Akademia e Shkencave ka detyrim të raportojë në Kuvend, merr buxhetin nga Kuvendi, paraqet kërkesat e saj ndaj kuvendit. Është e patolerueshme që nuk vijnë dhe nuk kthejnë përgjigje. Rast i paprecedentë.” Ky ka qenë reagimi i deputetes Ina Zhupa, pasi në dëgjesën e planifikuar në Kuvend për Fjalorin e Shqipes, përfaqësuesit e Akademisë së Shkencave nuk u paraqitën.

Deputetja e Partisë Demokratike, deklaroi se Komisioni kishte kërkuar që më 4 shkurt dokumentacion të plotë mbi metodologjinë e hartimit të fjalorit, grupet e punës dhe konsultimet me ekspertët, por sipas saj, Akademia nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

Ndërkohë, përfaqësues nga Akademia e Shkencave bëjnë me dije për “Report TV” se ata i kanë kthyer një përgjigje zyrtare Kuvendit për mospjesëmarrjen e sotme në dëgjesë. Ata shpjegojnë se Kryesia e Akademisë së Shkencave ndodhet në Greqi për përurimin e Komunitetit Ndërkombëtar të Akademive – Koinon, në kuadër të pranimit të Akademisë shqiptare, si Anëtare Nderi.

Dëgjesa ishte thirrur pas debateve që kanë shoqëruar prezantimin e Fjalorit të Madh të Gjuhës shqipe që prej një muaji. Vepra, e cila është publikuar online, ka hasur në kritika të ndryshme.

Zhupa ka shkuar dhe më tej kur deklaroi se: 

“Nuk justifikojnë dot milionat e marra nga Kuvendi, nuk dinë të justifikojnë grupet e punës, skedat e bëra për fjalorin. Shfrytëzoj rastin për të thënë që nuk e tolerojmë dhe do të marrim çdo masë, duke vënë në lëvizje qeverinë, Ministrinë e Arsimit, për të bllokuar fondet për Akademinë e Shkencave.”

Por deputeti i Partisë Socialiste, Erion Malaj, deklaroi se do t’u dërgohet një njoftim i dytë përfaqësuesve të Akademisë së Shkencave për të marrë pjesë në Komision. Ai u shpreh se çështja duhet trajtuar me qetësi dhe se ekspertët e duhur duhet të dëgjohen, pa paragjykime ndaj punës së Akademisë./shqiptarja

ObserverKult


Lexo edhe:

Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe/ Rrokaj ju përgjigjet kritikave: Presim sugjerime nga katedrat…