“Flaka e Janarit”, tashmë ka krijuar historinë dhe një traditë nderimi përmes kulturës

Sot në Bibliotekën e re të Gjilanit, duke filluar nga ora 16:00, mbahet edicioni i 29-të i pjesës letrare të Manifestimit kombëtar të kulturës, i njohur tashmë gjithandej si “PENA E FLAKËS”.

Nga Sabit Rrustemi


Para këtij edicioni janë mbajtur në mënyrë të pandërprerë, 28 edicione.
Pena nisi rrugëtimin bashkë me “Flakën e Janarit”, që nga 18 janari i vitit 1992 e këndej.
Atë ditë, pas shpalljes zyrtare të Manifestimit , në fshatin Bresalc, përkatësisht në Mahallën dhe në oborrin e Xhamisë së fshatit, ku u përurua një shtëpi kulture, Organizatori i “Flakës…”, Shoqata e Pavarur Kulturore dhe Forumi i Rinisë së LDK të Gjilanit, pasditën e së njëjtës ditë ( ora 15:00 ), u kthyen në qytet, përkatësisht në Restaurant KULLA që ndodhej përgjatë rrugës kryesore në afërsi të Shkollës Teknike, ku njëkohësisht u hap ekspozita e parë e artit pamor që tashmë prej kohësh quhet PENELI I FLAKËS, si dhe u mbajt Ora e madhe letrare.
Ambientet e asaj KULLE që tashmë nuk është më restaurant, ishin të vogla për gjithë atë masë krijuesish e artdashësish, të cilët u bënë dëshmitarët e parë ( madje dhe në numër të madh), të një Manifestimi i cili, nga viti në vit, po pasurohej si në formë, ashtu dhe në cilësi.
Me vendimin e Organizatorit, në edicionin e parë të Manifestimit, janë dhënë dy Çmime, njëri Çmim në nivel qendror, për krijuesit e afirmuar dhe që kishin bërë emër, ku fitues i Orës së madhe letrare u shpall BEQIR MUSLIU, dhe tjetri, për krijuesit në nivel lokal, ku po përmes të njëjtës Juri, fitues u shpall, poeti nga Bresalci, Ruzhdi Kqiku.
Nga edicioni i dytë i vitit 1993 e këndej, është dhënë vetëm një Çmim.
Organizatori me të drejtë unifikoi dy Çmimet në NJË, si dhe eliminoi dallimet mes krijuesve të nivelit qendror dhe atij lokal.
Pjesë e pandashme e pjesës letrare të Manifestimit kombëtar të kulturës, “Flaka e Janarit” nga edicioni i parë e këndej, ka qenë, edhe konkursi anonim letrar, si një nxitje e madhe për të gjitha moshat krijuese, pavarësisht nga ç’treva vijnë.
Janë dhënë nga fillimi tri çmime për poezitë më të mira dhe, po aq, për tregimet.
Fitues i parë i konkursit anonim letrar ka qenë poeti dhe gazetari tashmë i ndjerë nga Zhegra, Rexhep Demiri.
Punimet e shpërblyera të atij konkursi janë botuar në dy vitet e para, në një fletushkë me tirazh tejet të kufizuar. Kurse, nga viti 1994, pikërisht në dhjetëvjetorin e rënies heroike të Rexhep Malës e Nuhi Berishës, u themelua edhe revista letrare – kulturore AGMIA dhe, nga ajo kohë e këndej, ka qenë kronika dhe pasqyra më besnike e këtij Manifestimi me karakter thellësisht kombëtar, çlirues e krijues, i cili, si i tillë, dhe në të njëjtat shtylla, vazhdon tutje edicioneve e viteve që që do të vijnë.
Në këtë pjesë letrare të Manifestimit, qoftë përmes Orës së madhe letrare apo dhe konkursit anonim letrar, kanë defiluar emrat më të njohur të letrave shqipe të Kosovës e të Maqedonisë, e pas çlirimit të Kosovës, edhe ata të Shqipërisë.
Gjilani dhe institucionet e saj, qofshin ato të paraluftës, si institucione paralele dhe në kushte okupimi, qofshin këto të pasluftës, në mundësitë e veta kreative dhe financiare, nuk janë kursyer dhe janë përpjekur ta bëjnë më të mirën, për mbarëvajtjen e “Flakës së Janarit”, si manifestim i përshpirtshëm, përkushtues e nderues për martirët, dëshmorët, heronjtë dhe figurat e shquara të kombit, përmes vlerave të artit pamor, letrar, skenik e muzikor.
PENA E FLAKËS, në çdo edicion, ka shënuar prurje të reja në letërsi, vlera të shënuara artistike por, edhe emra të rinj, të cilët janë zbuluar përmes “Flakës së Janarit” dhe sot janë emra të shquar të letërsisë sonë …
Edicion pas edicioni, ky Manifestim e me të edhe vetë “Pena e Flakës”, tashmë kanë krijuar historinë dhe një traditë nderimi përmes kulturës./ ObserverKult