Flasim shumë, dashurojmë pak; urrejmë shumë dhe shpesh…

-Kemi shtëpi më të mëdha, por familje më të vogla. Marrim më shumë arsim, por arrijmë të kemi më pak arsyetim.

-Kemi shtuar pasuritë materiale, por kemi pakësuar vlerat morale. Flasim shumë, dashurojmë pak; urrejmë shumë dhe shpesh.

-Mësuam të shkojmë e të vijmë në Hënë, por kemi probleme për të kaluar në anën tjetër të rrugës për t’u përshëndetur me komshinjtë e rinj.

-Eksploruam Universin, por nuk arrjmë të hyjmë në botën tonë të brendshme. Është koha e burrave të mëdhenj dhe e karaktereve mediokre…

Këto thënie i hasa sot në një fletë letër të zverdhur nga vitet. I takojnë komedianit George Carlin, i njohur për mprehtësinë e batutës, kritikën sociale si dhe për prirjen nga komedia e zezë, dmth prirjen që gjëra komike t’i përziesh me tone të dhimbshme. Hyra në google dhe pashë se komediani ka vdekur para një dekade e gjysmë, po thëniet ngjajnë sikur i ka artikuluar sot. Vita brevis, ars longa, thoshte latini.

Kanë kaluar mbase dekada nga dita kur i kam lexuar për së pari dhe i kam nxjerrë me një anë, me shpresë se një ditë mund të më hynin në punë. Dhe në një farë mënyre sot m’u gjendën. Si dhe pse më hynë në punë, do thoni ju. Rastis që gjërat e zgjuara nuk të ndihmojnë aq të kuvendosh me të tjerët sesa me veten tënde./Çapajev Gjokutaj

ObserverKult


Lexo edhe:

ÇAPAJEV GJOKUTAJ: KUR ATA QË NUK JANË MË I TAKOJMË VETËM NË ËNDËRR…