Shuarja para kohe e poetit dhe kineastit, Petrit Ruka, ka lënë në trishtim miqtë e bashkëpunëtorët. Shumë prej tyre u përulën para trupit të pajetë, duke e nderuar për herë të fundit. Autor i dhjetëra botimeve e 40 veprave kinematografike, Ruka do të mbahet mend kryesisht për natyrën e paqtë në raportet njerëzore.
“Ditë e trishtë, krizantema si shpirti i tij. Ruka fisnikëroi shpirtin, na mësoi dashurinë për jetën”, tha regjisori Pirro Milkani.
Rioshi nga Tepelena që iku prej andej duke bartur me vete deri në fund të jetës dashurinë për çfarë la pas, ruajti gjithaq respektin dhe një kod nderi për miqtë e hershëm.
“Jemi tepelenas të dy, ishte mik i Kadri Roshit. Në kohë të vështira ne nuk u përçamë, as nuk kallëzuam”, u shpreh poeti Sadik Bejko.
Mbi kohët në kinostudio dhe ditët e lirisë, Kumbaro rrëfen gjurmët e pashlyeshme.
“Filmi i fundit me Petrit Rukën për Memaliajn. Ruka organizoi mbledhjet e para për demokracinë”, deklaroi regjisori Saimir Kumbaro.
Shumë poezi e prozë, ku lëvrohet më e mira e shqipes, ku risillet gjuha e vjetër dhe legjendat, ku qahen të ikurit e të treturit, ku flitet për jetën e mallin dhe filmat, ku përjetohen ngjarje e kohë, mbajnë firmën e Petrit Rukës, bashkë me dashurinë që ai kishte për atdheun dhe gjuhën./(BalkanWeb)