“Një dokument i krijuar nga ish-Sigurimi i Shtetit është një dokument i një policie politike militare që funksiononte mbi ligjin, pa ligj. Edhe ka vrarë, ka bërë çdo gjë, ka pasur jetën e njerëzve në dorë, natyrisht që çdo dokument që e ka krijuar sigurimi e ka bërë këtë me një qëllim. Sigurisht për qëllime përpunimi. Edhe kjo e Martin Camajt ka një qëllim, që ta manipulojë, që ta drejtojë. Kështu që duhet parë me shumë kujdes”, u shpreh Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit për Informimin për Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH).
Kryetarja e Autoritetit për Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula ka folur edhe për atë që është kthyer në debatin e ditës, nëse Martin Camaj figuron apo ajo ne dosjen e krijuar për të nga ish-Sigurimi i Shtetit, si bashkëpunëtor i tij.
Në një intervistë për “Çim Peka Live”, Sula ka paraqitur në emision një fashikull pune me emrin e Martin Camaj, për të cilën thotë që se nuk është dosja e një bashkëpunëtori, por e ajo e survejimit që Sigurimi i Shtetit ka bërë ndaj Martin Camajt.
“Nuk bëhet fjalë për një dosje pune bashkëpunëtori. Bëhet fjalë për një fashikull dhe po të shikoni brenda se unë e kam parë. Ka qenë dosja e dytë që kam parë që në fillim kur kam hyrë në arkivë për herën e parë dhe po ta shikoni aty nuk bëhet fjalë për dosje bashkëpunëtori, por aty mes rreshtave lexohet vazhdimisht që subjekti është i klasifikuar 2A. Për ata që nuk e dinë, 2A, do të thotë që sigurimi e kishte përgatitur për arrest” – u shpreh ajo.
Pyetjes nëse ishte një dosje e përgatitur nga regjimi, Sula iu përgjigj duke thënë se dosja ishte për survejim dhe jo dosje pune duke ritheksuar se: “Nuk është një dosje bashkëpunëtori. Në përgjithësi dosjet e bashkëpunëtorit janë dosje pune. Kjo është një dosje survejimi. Ka rreth 200 faqe dhe duhet lexuar me shumë kujdes”, ka arsyetuar ajo.
Gjate intervistës, Kryetarja e AIDSSH-së, Gentiana Sula ka theksuar se një dokument nuk tregon se kush është personi.
“Ajo që dua t’i përcjell publikut është kjo që një dokument i krijuar nga ish-Sigurimi i Shtetit është një dokument i një policie politike militare dhe e kemi publikuar, deklasifikuar platformat në vite që kanë ata. Ishte një forcë që funksiononte mbi ligjin, pa ligj, edhe ka vrarë, ka bërë çdo gjë. D.m.th, ka pasur jetën e njerëzve në dorë, natyrisht që çdo dokument që e ka krijuar sigurimi e ka bërë këtë me një qëllim. Sigurisht për qëllime përpunimi. Edhe kjo e Martin Camajt ka një qëllim që ta manipulojë që ta drejtojë. Kështu që duhet parë me shumë kujdes” – ka thënë ajo duke treguar se dhe për Ernest Koliqin është kërkuar të shqyrtohen faktet dhe ende nuk dihet gjë, pasi dosjet janë ende të padeklasifikuara.
Sula tha, se dosje ka, por këto mund të jenë dosje survejimi, pasi ata, si Camaj dhe Koliqi kanë qenë persona me ndikim.
Sula u shpreh se debati i bën mirë vendit, pasi kështu dalin në pah figurat e personazheve me rëndësi në histori dhe kështu bëhet e mundur edhe shqyrtimi i fakteve ndaj tyre.
“Kemi bërë një kod të praktikave të mira. Akoma nuk jemi si shoqëri të themi si media është aty ku duhet. Këto histori duhet të kenë patjetër procese të plota të rishikimit të supervizimit. Sepse pak figura me rëndësi kombëtare kemi, vend i vogël jemi dhe kjo është një energji e madhe e harxhuar” – u shpreh ajo.
Sula shprehet se Sigurimi i Shtetit është përpjekur t’i përbalti figurat (si Camaj) dhe figura të tjera të rëndësishme edhe në komunitetin e shqiptarëve dhe të profesionistëve ndaj çdo dokument i krijuar nga ish-Sigurimi i Shtetit duhet parë me shumë rezervë.
“Për të evituar faktin që një dokument i Sigurimit të Shtetit e redukton një subjekt në formën që i shkon për shtat më herët ne kemi bërë një studim mbi “10 figurat e para të shkencës”, që vijnë nga Instituti i Shkencës, i cili për antologji është krijuar Ernest Koliqi kur ishte ministër i Kulturës.
Në këtë studim bëhet fjalë për shumë figura me rëndësi si Arshi Pipa, Sabiha Kasimati Kol Kamsi, Aleks Buda, etj.
Dosjet e ish-Sigurimit për këto figura, sipas Gentiana Sulës janë punuar “nga një historian i periudhës që njeh mirë komunizmin, funksionimin e tij dhe një historian i kohës”
“Të njëjtën gjë bëmë edhe për Sabiha Kasimatin. U mor me studimin e figurës së saj, një historian i kohës dhe një historian i fushës së shkencës. Për inxhinierin polak, Stanislav Zuber, që është vetëvrarë apo vrarë në hetuesi, dosja është studiuar nga ne edhe nga inxhinieri i naftës që është në gjendje të gjykojë në kontekstin profesional dhe historian i kohës që është në gjendje të gjykojë komunizmin, kështu e njëjta gjë edhe për inxhinierët e naftës.”