Një dorëshkrimi i çmuar i Dritëro Agollit i është dhuruar Akademisë së Shkencave nga e bija e shkrimtarit Elona Agolli gjatë zhvillimit të konferencës shkencore: Migjeni dhe Dritëroi – dy shkrimtarë me vështrim nga e ardhmja.
Për gjestin dhe motivin e kësaj dhurate ajo tha se: “Ndjehem mjaft e nderuar që në këtë pod të shenjtë të mendjeve dhe shpirtrave iluminues të Akademikëve tanë të nderuar. Të dorëzoj e dhuroj një Fletore të dorëshkruar, me poezi të dorëshkruara nga Dritëroi.”
Skënder Gjinushi e falënderoi vajzën e shkrimtarit, Elona Agolli, dhe u shpreh se ky dorëshkrim me poezi i Dritëro Agollit është vepra më me vlerë. Dhe meriton që të jetë në shtëpinë e madhe të akademikut Dritëro Agolli, që është Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
***
Përshëndetja e Elona Agollit:
Ndjehem mjaft e nderuar që në këtë pod të shenjtë të mendjeve dhe shpirtrave iluminues të akademikëve tanë të nderuar, të dorëzoj e dhuroj një Fletore të dorëshkruar, me poezi të dorëshkruara nga Dritëroi.
E mendoj që ky dorëshkrim do të përbëjë një vlerë në arkivin e dokumenteve, apo çdo materiali tjetër studimor të Akademisë së Shkencave.
Nuk e kisha të lehtë të merrja këtë vendim, pasi këto fletore e blloqe të bukurshkruara nga babai im, për mua kanë shumë kuptime e kujtime, krijojnë përjetime e ndjesi të shumta.
Aty ndiej bojën e shkrimit dhe gishtërinjtë e ngjyrosur të babit me bojën blu Pelikan, në fletët e blloqeve ndjej erën e duhanit dhe nikotinës, e cila siç thoshte babi, ia ngjyroste gishtërinjtë posi ajo vjeshta që ngjyros fletët e pemëve me ngjyrën e verdhë.
Ndjej përpëlitje e zjarrmi të shpirtit kur përfshihej nga muza poetike, ndjej orët e pagjuma, gëzim e trishtim, dashuri të paplotësuar e të padhënë, forcë e dobësi. Duke dorëzuar këtë dorëshkrim, përjetoj ndjesinë e përcjelljes së një copëze shpirti, transferimit të tij në një shtëpi të re, në shtëpinë ku babai im ka kontributin e tij si atdhetar e patriot, si iluminist dhe mendjendritur, në tempullin, të cilin ai e vlerësonte më shumë se gjithçka, në Akademinë e Shkencave.
I uroj shtëpisë së re të këtij dorëshkrimi shpirti, mbrothësi e sa më tepër suksese të vyera në drejtim të hulumtimit, përçimit dhe transmetimit të vlerave shkencore e kulturore të kombit tonë.
Falënderoj Kryetarin e Akademisë së Shkencave, prof. Skënder Gjinushin, dhe të gjithë akademikët tanë të nderuar.
[Fjala përshëndetëse me rastin e dhurimit Akademisë së Shkencave, të Fletores me poezi të dorëshkruara të Dritëro Agollit, nga fëmijët, Elona dhe Artan, në 90-vjetorin e Lindjes së Dritëroit.
LEXO EDHE: AGOLLI, POETI I TOKËS, NJERIUT DHE …VDEKJES