Bashkia e Bulqizës fton turistët të vizitojnë Shkëmbin e Kullës së Skënderbeut që ndodhet në vendin e betejës në fushën e Vajkalit.
Për të gjithë të apasionuarit pas historisë, ky vend që njihet si “Shkëmbi i Kullës së Skënderbeut” përbën një atraksion. Ai është një fortifikim i cili ndodhet në një kodër rreth 1 mijë metra mbi nivelin e detit, në formën e një koni, në fund të një rrëpire.
Aty mund të shihen rrënojat e një fortifikimi në përmasat e një kalaje të vogël që besohet se i ka shërbyer Gjergj Kastriotit në dy betejat e fushës së Vajkalit të viteve 1464 dhe 1465 kundër ushtrive otomane të drejtuara nga Ballaban Pasha. Nga aty është e mundur të kontrollohet hyrja për në fushën e Vajkalit.
Ky vend të ofron një pamje piktoreske që duhet të vizitohet nga kushdo që ka mundësi.
Bulqiza është një nga destinacionet të turizmit malor që ofron jo vetëm, bukuritë e natyrës të maleve, bjeshkëve dhe liqeneve akullnajore, por dhe një vend ku historia, kultura dhe tradita ndërthurur në shekuj, flasin si atëherë kur ndodhën ngjarjet e mëdha si beteja e Skënderbeut në fushën e Vajkalit./ATSH