Foto-galeri: Ish-presidenti Ibrahim Rugova në fokusin e mjeshtrit të fotografisë Fahredin Spahija

Sot është 17-vjetori i vdekjes së ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Në kujtim të jetës e veprës së ish- presidentit po i publikojmë disa foto të ekspozitës “Rugova”, realizuar nga mjeshtri i fotografisë Fahredin Spahija, që u prezantuan në kuadër të manifestimit “Kujtesa e Kosovës” para 7 vjetësh.

“Kemi të bëjmë, me një autor të fotografisë e jo me një fotograf, i cili bëhet rob i ngurtësimit të një imazhi të zakonshëm pa e pasur ndjeshmërinë dhe mendimin paraprak për efektin poetik të tij. Mirëpo, në rastin konkret, Fahredin Spahija, për hir të një Monumenti, “ka pranuar” Dokumentin fotografik. Monumenti i Fahredin Spahisë, qoftë edhe për të gjallë të tij, ishte dhe mbetet autori i Kosovës moderne, presidenti Ibrahim Rugova”, thekson profesori dhe studiuesi i letërsisë, Nysret Krasniqi, në kritikën e tij për këtë ekspozitë , të cilën e gjeni të plotë më poshtë.

©Fahredin Spahija
©Fahredin Spahija
©Fahredin Spahija
©Fahredin Spahija
©Fahredin Spahija
©Fahredin Spahija
©Fahredin Spahija
©Fahredin Spahija
©Fahredin Spahija
©Fahredin Spahija

Nysret Krasniqi: Monumenti dhe Dokumenti

Fahredin Spahija shquhet në hapësirën shqiptare për fotografinë artistike me përqendrim në semantikën e portretit, kompozicionit simbolist dhe estetikën e përgjithshme të jetës në kalim. E gjithë kjo poetikë e fotografisë së tij duket se ka një intencë: luftën ndaj harresës. Fotografia e Spahisë nuk e shenjon të zakonshmen, rutinën jetësore
e okazionalen, por depërton në honet e thella të reflektimit ndjenjor kur merr portretin, harmonizon simbolikat kur ndërton kompozicionin dhe realizon differentia specifica-t e jetës kur merr çrëndomtësimin e estetikës jetësore.
Pra, kemi të bëjmë, para së gjithash, me një autor të fotografisë e jo me një fotograf, i cili bëhet rob i ngurtësimit të një imazhi të zakonshëm pa e pasur ndjeshmërinë dhe mendimin paraprak për efektin poetik të tij. Mirëpo, në rastin konkret, Fahredin Spahija, për hir të një Monumenti, “ka pranuar” Dokumentin fotografik. Monumenti i Fahredin Spahisë, qoftë edhe për të gjallë të tij, ishte dhe mbetet autori i Kosovës moderne, presidenti Ibrahim Rugova.
Pra, si çdo gjë që e ka historinë e vet, edhe këto fotografi kanë udhën e tyre, sidomos sa i përket intencës së realizimit në kohë e hapësira reale historike. Janë fotografi të mallit për një ide, e cila u sublimua nga Rugova, ideja e brezave për lirinë e Kosovës. Madje, për lirinë e Kosovës dha shumë edhe familja e Fahredinë Spahisë, dhe, po të hulumtohet në historinë e saj, nga familja e tij shquhen shumë figura të idesë nacionale për liri. Prandaj, duke e parë Rugovën si sublimim të idesë së brezave shqiptarë, por edhe të trashëgimisë së tij familjare, Spahija me motivim të thellë ikonizon fotografi, të cilat e luftojnë harresën për njeriun, i cili i priu dhe e realizoi ëndrrën e lirisë së shqiptarëve në Kosovë. Nuk janë këto fotografi të një lideri të ardhur si prijës me fushata lufte, as me ideologji të dyshimta, por të një njeriu të literaturës dhe kulturës shqiptare, i cili kaloi në politikë për ta ruajtur qenien shqiptare në Kosovë. Kjo e vërtetë historike e bën më të gëzueshëm autorin e këtyre fotografive, kur dihet se arti nuk e do të rëndomtën, por të jashtëzakonshmen. Dhe mund të themi se fotografitë për Monumentin Ibrahim Rugova do të jenë një Dokument i vlershëm i reflektimit të vazhdueshëm nacional të tij, imazhit dhe humanitetit për kohët e ardhshme. Fundja, fotografia gjithnjë e lufton vdekjen!

ObserverKult


Lexo edhe: