Atraksioni turistik “Machu Picchu” po bëhet gati që t’i hapë dyert për turistët, ani pse Peruja është aktualisht një prej vendeve më të goditura nga koronavirusi.
Vendi i vjetër ishte mbyllur për vizitorët për shkak të përhapjes së pandemisë, por institucionet janë duke vazhduar punën që vendi arkeologjik të hapet për turistët.
Kështjella e vendosur në një kreshtë malore prej 2 mijë e 430 metrash lartësi mbidetare pritet të vizitohet nga shumë turistë, por kjo do të bëhet nën masa të rrepta sigurie për mbrojtje nga virusi.
Sipas drejtuesve, numri i vizitorëve që do të lejohen në bazë ditore do të jetë i kufizuar.
Ky vend nuk është vetëm monumenti më i vizituar i Perusë, por është quajtur edhe një nga 7 mrekullitë e reja të botës. E ndërtuar në vitin 1450 dhe braktisur një shekull më vonë, kompleksi na ofron një vështrim të pabesueshëm në jetën e përditshme, në fenë dhe në evolucionin teknologjik të Inkasve.
Megjithëse është vetëm 50 kilometra nga Cuzco (ose Cusco), dikur kryeqyteti i Perandorisë të Inkasve, Machu Picchu duket një botë e largët. Çdo vit, mbi një milion turistë vijnë për të vizituar vendin arkeologjik, për të admiruar këtë xhevahir të Perandorisë Inke.
Nëse nuk jeni ende të bindur se ky mrekulli arkitektonike dhe kulturore meritojnë të vizitohen, zbuloni disa fakte të pabesueshme rreth Machu Picchu.