Tyrbja e Abaz Aliut në lartësinë 2417 m mbi nivelin e detit, në Çukën e Tomorit ofron këtë fillim viti një pamje magjepsëse e mbuluar me ‘vellon’ e dëborës.
Kjo tyrbe ndodhet në malin i Tomorit, i cili është një destinacion turistik për adhuruesit e aventurës, vëzhgimit dhe patjetër edhe për besimtarët që kryejnë pelegrinazh.
Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, publikoi disa fotografi me pamje nga Tyrbja e Abaz Aliut në malin e Tomorit të mbuluar nga dëbora.
“Tyrbja e Abaz Aliut në lartësinë 2417 m mbi nivelin e detit, në Çukën e Tomorrit. Berati i mrekullive”, – shprehet Demo.
Tyrbja e Abaz Aliut, konsiderohet një vend i shenjtë dhe i adhuruar. Çdo fundgushti nga data 20 deri në datën 25, në këtë vend organizohet një ritual dhe një festë madhështore nga besimtarët e sektit bektashi e cila përbën festën më të rëndësishme të vitit. Gjithashtu, gjatë këtyre ditëve të festës, ai vizitohet edhe nga shumë njerëz të besimeve të ndryshme.
Mali i Tomorit shtrihet në verilindje të qytetit të Çorovodës, në një largësi rreth 20-25 km dhe gëzon statusin e Parkut Kombëtar. Gjithashtu, nga të apasionuarit e natyrës organizohen gjatë vitit në malin e Tomorit hiking, ski, dhe shumë sporte të tjerë./atsh