Mario Testino është një nga emrat më të njohur në botën e modës, fotograf i cili ka realizuar kopertinat e disa prej revistave më të njohura të modës si Vogue, V Magazine, Vanity Fair etj.
Gjatë një vizite së fundi në komunën e Horës së Arbëreshëve, Mario Testino, ka shprehur dëshirën që me anë të fotove të tij të përjetësojë kostumet tradicionale të banorëve të kësaj zone.
Kryetari i komunës së Horës, Rosario Petta thotë se: “Kostumet tona kanë lënë me gojë të hapur edhe një fotograf si ai, që ka përjetësuar me foto gjatë karrierës së tij, shumë personazhe të njohur në të gjithë botën”, duke vazhduar më tej se “Është një emocion i madh për ne konfirmimi se sa tërheqës dhe unik është identiteti ynë”.
Imazhet e marra nga Testino gjatë shërbimit fotografik, do të botohen prej vetë tij në një përmbledhje që do të shohë dritën e botimit shpejti.
Kohët e fundit Hora dhe fshatrat e tjerë arbëreshë po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e studiuesve dhe turistëve nga e gjithë bota, për etnografinë, kulturën dhe traditën shqiptare që kanë arritur ta ruajnë për më shumë se katër shekuj. /diasporashqiptare/