Berati përherë ka qenë një nga destinacionet më joshëse për fotografët për vetë veçoritë e peizazhit të tij, për bukurinë e qytetit, të arkitekturës së ansambleve të banesave, objektet e kultit por dhe të natyrës përreth.
“Ditët europiane të trashëgimisë botërore” sollën në Berat ekspozitën me foto të hershme të qytetit nga fotografë vendas dhe të huaj, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Muzeumeve.
Drejtori i Qendrës Kombëtare të Muzeumeve Berat, Agron Polovina, tha sot për ATSH-në se “në ekspozitë u prezantuan rreth 28 foto bardhë e zi të Beratit të vjetër nga artistë vendas e të huaj të realizuara 120 vite më parë, 8 riprodhime të akuareleve të poetit dhe piktorit anglez Eduard Lir të realizuara në tetor 1848”.
“Pjesë e ekspozitës janë edhe 11 foto të formatit të madh me ngjyrë që paraqesin elementë dekorativë artizanalë të portave të qytetit të Beratit”, – tha Polovina.
Drejtori Polovina u shpreh se “bukuria e qytetit të një mbi një dritareve është dëshmi e rëndësishme vizive, e cila vjen deri sot nëpërmjet fotove të realizuara kryesisht në fillim të shek XX deri në vitet 40. Një histori që fillon më shumë se 120 vite më parë. Histori që përbën padyshim një trashëgimi të pashembullt fotografike, e cila është bërë e njohur nëpërmjet pasionit të admirueshëm të shumë studiuesve e koleksionistëve që kanë arritur të qëmtojnë me kujdes e pasion”.
“Edhe në këtë shtator në veprimtaritë e organizuara ne u drejtohemi brezit të ri, fëmijëve dhe të rinjve u zbulojmë atyre thesare e dëshmi të rëndësishme të trashëgimisë sonë, u japim krahë imagjinatës së tyre për të mbërritur në qytetin e hershëm, si një porosi për ta dashur dhe për ta ruajtur këtë pasuri, si një krenari ndaj paraardhësve e përgjegjësi për ta përcjell brez pas brezi”, – shtoi Polovina.
Berati u shpall në 1961 zyrtarisht qytet-muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë. Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella, ose kalaja, siç quhet nga beratasit, e ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta./Atsh