Fotografi të rralla të poetit Havzi Nela ekspozohen në muzeun e Kukësit

Fotografi të rralla të Havzi Nelës, poetit të pushkatuar nga diktatura janë ekspozuar në Muzeun Etnografik të Qytetit të Kukësit. Vizitorët e parë ishin nxënësit e gjimnazit që mban emrin e tij. Ekspozita përmban 38 foto të panjohura, që i ka mbledhur me përkushtim shkrimtari Petrit Palushi.

“Janë shumë foto që ne do i ekspozojmë në dy seanca sot dhe pas 3 javësh. Duke i parë dhe përpunuar mund të them se janë befasuese të gjitha fotot, vihet re shkëlqimi i syve të tij. janë gjithsej 38 foto të panjohura të cilat i kam mbledhur tek të gjithë shokët e shkollës që nga Shkodra e më pas kur shkoi në Tiranë”, thotë shkrimtari Petrit Palushi.

Në këtë ekspozitë, Palushi veçon foton e fundit të Havzi Nelës, shkrepur ditën e arrestimit. 

“Ekziston fotoja e fundit që është bërë në hetuesi. Ka një gabim aty kur thuhet dy ditë para ekzekutimit, por kjo nuk është e vërtetë, kjo foto është e 17 qershor, pikërisht atë ditë kur u arrestua. Kjo ka të bëjë me dramatikën e jetës së Havzi Nelës, sepse është njeriu i dënuar 5 herë, rast unikal në Shqipëri. Ne do të vazhdojmë ta çojmë këtë ekspozitë në disa shkolla të rrethit që nxënësit të njihen me periudhën më dramatike së Shqipërisë vitet 1945-1990”, thotë Palushi.

Havzi Nela, kundërshtar i regjimit komunist, u burgos e internua nga viti 1967 deri në 1988 kur u var në mes të Kukësit. Me ardhjen e pluralizmit u shpall “Martir i Demokracisë”, ndërsa ka lënë një sërë veprash dhe dorëshkrimesh si “Në qelitë e burgut”, “Nuse më dhanë robninë”, “Eni të vajtojmë Shqipërinë”.

——————————–

Lexo edhe:

HAVZI NELA: KURRË S’U ULËM NË NJI SOFËR, KURRË, O NANA IME…