Fotografitë e vjetra të qytetit të Gjilanit i shndërrojnë në piktura

Nxënësit e shkollës së mesme të artit pamor “Adem Kastrati” në Gjilan fotografitë e vjetra të këtij qyteti i kanë shndërruar në piktura, duke e shpallur të hapur ekspozitën në Muzeun e Qytetit e titulluar “Gjilani n’retro”.

Drejtori i kësaj shkolle, Roland Masurica, e ka falënderuar komunën për mbështetjen e këtij projekti.

“Këto fotografi të cilat janë ekspozuar, fokus të veçantë kanë pasur që të na sjellin një nostalgji, një retrospektivë dhe një evoluim të qendrës së qytetit në etapa të ndryshme dhe ato figura janë të paraqitura përmes brushës, ngjyrës dhe lapsit”, ka thënë Masurica.

Ndërsa, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Deniza Limani, ka pohuar se ndjehet krenare me këto punime fantastike të nxënësve që pasqyrojnë Gjilanin në retrospektivë.

“Është një aktivitet jashtëzakonisht me vlerë. Qëllimi i thirrjes publike të DKRS-së ka qenë mbështetja e të rinjve, sikurse këta sot. Ndihem shumë krenare me këto punime të realizuara nga nxënësit e qytetit tim”, është shprehur Limani, transmeton ‘rtklive.com’.

Ky ka qenë projekt i organizuar nga organizata joqeveritare Botart Gjilan, me mbështetje të Lutfi Hazirit.

Ekspozita do të qëndrojnë e hapur deri në mesin e janarit.