Në arkivin e Ministrisë së Brendshme
Nga Aida Tuci
Arkiva e Shërbimit Sekret Shqiptar gjatë kohës së sundimit komunist fsheh shumë fakte të rënda të vrasjeve, pushkatimeve, burgosjeve, internimeve të mijëra familjeve shqiptare.
Nga të dhënat jo të plota të arkivit të Ministrisë së Brendshme rezulton se gjatë këtij regjimi u vranë 5157 njerëz dhe vdiqën nëpër burgje 9052 vetë. U burgosën si të dënuar politikë 17900 njerëz dhe u internuan për motive politike 30383 të tjerë.
Të gjitha këto shifra vijnë të dokumentuara me foto dhe dokumente në albumin e titulluar “Terrori komunist në Shqipëri”, ideuar nga Prof. dr Luan Malltezi dhe përgatitur për botim nga Enver Kushi dhe Fatmir Boshnjaku. Albumi u promovua kohë më parë në sallën e Muzeut Historik Kombëtar.
Gjatë këtyre 23 viteve është shkruar dhe folur shumë për krimet e komunizmit, kanë parë dritën e botimit shumë dokumente e foto.
Një pjesë e të cilave janë përfshirë edhe në këtë album. Por shumë të tjera rrinë ende në magazinat e mëdha të Arkivit të Ministrisë së Brendshme ku mbahen të mbyllura dosjet e komunizmit.
LEXO EDHE: DOKUMENTI QË DËSHMON KRIMET E KOMUNIZIMIT: PO PUSHKATOJMË NGA NJË NË ÇDO FSHAT, QË T’I FRIKËSOJMË…
Enver Kushit, një ndër realizuesit e këtij albumi, i është dashur të gërmojë gjatë në këta arkiva për të sjellë dokumente. Dhe foto që publikohen për herë të parë. Ajo që e ka tronditur më shumë janë vrasjet masive që u bënë në kufi në vitin 1990.
“Janë qindra të rinj të vrarë. Fotot e vrasjeve janë vërtet tronditëse”, – rrëfen Kushi në intervistën e tij, kohë më parë, duke dhënë dhe detaje rreth shumë zbulimeve që ai ka bërë në këtë arkiv.
Zoti Kushi, është shkruar dhe folur shumë këto 23 vjet për krimet e komunizmit dhe sigurisht që ka ende shumë për të thënë, por çfarë është e panjohur që ju e sillni në këtë album?
“Terrori komunist në Shqipëri” është drama shqiptare që zë fill nga viti 1948 deri më 1990-ën. Është konceptuar si album sepse kemi patur një lëndë të pasur falë ndihmës që na ka dhënë Arkivi i Ministrisë së Brendshme.
Por dhe Agim Musta, ish i persekutuar politik. Ky album ka qindra foto, por ato që botohen. Për herë të parë janë disa foto që kanë të bëjnë me vrasjet në kufi në vitin 1990. Në maj të këtij viti doli një dekret i firmosur nga Ramiz Alia.
LEXO EDHE: KRIMET E KOMUNIZMIT: “PO MË TAKOVE VAJZËN, T’I THUASH SE E KAM DASHUR SHUMË”
Ku thuhej se arratisja, kalimi i kufirit nuk quhej tradhti ndaj atdheut, dhe se nuk mund të vriteshin ata që kalonin kufirin. Rinia shqiptare e gënjyer nga ky dekret filloi në masë të kalonte kufirin.
Janë vrarë dhjetëra të rinj dhe janë vrasje nga më makabret. Janë të gjitha të dokumentuara. Dhe me lista emërore të të vrarëve në kufi.
Ka fakte të dokumentuara që vrasjet janë bërë nga Sigurimi i Shtetit shqiptar?
Fotografitë janë marrë nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme. Në këto dosje ka informacione dhe të dhëna që vinin nga degët e kufirit në Veri dhe Jug të Shqipërisë.
Që nga Shkodra, Tropoja, Saranda, Korça. Ku drejtues të pikave kufitare japin informacione për vrasjet që ishin bërë në kufi.
Sipas këtyre të dhënave, mosha e të vrarëve në kufi ishte nga 18 vjeç-32 vjeç. Sigurimi i Shtetit edhe atëherë dokumentonte çdo gjë. Përkrah informacioneve janë dhe fotografitë e kufomave. Janë ndoshta fotografitë më tronditëse që unë kam parë në arkiv.
Këto fotot flasin sa për dhjetëra libra. Sa për dhjetëra tragjedi. Janë mbi 100 të vrarë në atë periudhë. Janë arratisur nga kufiri jugor dhe sidomos shumë kanë kaluar nga Mali i Zi. (Marrë me shkurtime nga http://www.voal-online.ch)