Nazmi Rrahmani është njëri nga shkrimtarët më të njohur shqiptarë.
Ai njihet sidomos për romanin Malësorja, nga i cili libër kemi shkëputur një fragment që mund ta lexoni në vazhdim.
Sa shumë e ndryshuan Hajrinë ato tetëmbëdhjetë vjet të martesës së dytë, habitej edhe ajo vetë. Nëpër fytyrën dikur të njomë e të bukur, të shëndoshë e të plotë, si lulja në mëngjesin e pranverës plot rreze të këndshme dielli, ishin kryqëzuar tash do rrudha që ia kishin bërë koha dhe vuajtjet, thua se në atë mënyrë i kishte shënuar çdo vuajtje kujtimet e veta me nga një rrudhë në fytyrën e saj. Të gjitha ato kishin marrë tash pamjen e një rrjete marimange në ndonjë qoshe të çardakut. Edhe trupi i saj, dikur i hollë e i gjatë si selvia në mes të malit, ishte kërrusur pak, tash dukej më e vogël. Sytë i ishin zgjeruar e flokët, dikur aqë të zez e të gjata, sa të gjitha shoqet ia lakmonin, ishin thinjur e rralluar.
Megjithatë, Hajria, mu tash, në këto vite pleqërie, e ndjente veten më krenare se kurrë ndonjëherë më parë. Sa herë e mendonte jetën e vet, i dukej se ka lindur mu atë ditë, që u krijua bota dhe se është më e vjetër se të gjithë njerëzit në të. Se kishte parë e përjetuar gjithçka që ndodhi deri tash në botë. E ka përcjellë çdo ngjarje të asaj ane dhe i dukej se vetë kishte marrë pjesë në to, pasi të gjithë ngjarjet e kaluara i mbante mend fare mirë.
Sabiti tashmë ishte rritur. Raba kishte vdekur para tri vjetësh. Të gjithë kujtimet e Hajrisë për të kaluarën e vështirë tashmë i mbuloi bukur shumë pluhuri i harresës, sidomos tash kur e shihte të birin burrë, të zotin e çdo pune; tash kur e shihte dhe veten dikund lart, lart mbi të gjithë, thuajse prej andej dëshironte t’u thonte të gjithëvet me plot mburrje:
“Qe, unë nuk kam qenë fajtore kurr!…” e ndjente në vete se si i shtohej ajo krenari pse arriti t’u bëjë ballë të gjitha atyre ngjarjeve të mundimshme dhe t’i harrojë deri dikund.
E vetmja brengë, të cilën nuk mund ta shlyente kurrsesi qe Aliu. Ai i dhembej e dashuria për të nuk i zvogëlohej fare, edhe pse i urrente nganjëherë ata njerëz. Dashuria prindërore e shtynte të harrojë tërë të kaluarën dhe ta ledhatojë të birin herë pas here, por vetëm me ato kujtime e dëshira, të cilat e ndjente në vete se si i rridhnin dita ditës më tepër.
Plot nëntëmbëdhjetë vjet nga ndarja mbusheshin atëherë e asaj i kujtohej vetëm fytyra e tij, ajo fytyrë të cilën e la para aq vjetësh në mesin e atyre maleve të thepisura të Gollakut të largët, të cilën nuk e pa kurr më.
“Mos ka vdekë? Kur nuk e ka dëgjue ma as një fjalë për te!” u frigua shpeshherë dhe thellë në vete ndjeu atë dhembje e pikëllim që ia djeg zemrën nënës, të cilën e mundonte dashuria për të birin e humbur.
Tash edhe po ta shihte të birin, me siguri nuk do ta njihte më e ëma nuk do ta njihte të birin! Nëna të mos e njohë të birin! I vinte keq edhe asaj dhe çuditej, por s’kishte çka të bënte, pasi e tillë qe jeta ndaj saj. Të mos e njohë djalin, për të cilin mendoi gjithmonë, në ditët më të vështira dhe më të lumtura të jetës së vet, të mos e njohë nëna fëmijën, gjirin e së cilës e kishte thithur, atë që e kishte shpëtuar nga vdekja, sepse sikur Hajrija të mos mendonte për të, të mund të mendonte jetën e të birit pa të sajën, atëherë i dukej se jeta e vet ishte e kotë dhe nuk kishte pse të jetojë, prandaj qysh atëherë do të vdiste. Të gjitha këto tash i dukeshin shumë të çuditshme. Sa net i kaloi pa gjumë dhe duke menduar për të!
Sa herë ëndërroi e në mëngjes u zemërua në vete pse pranoi të ndahet: pse nuk u kap për derën e shtëpisë sa të mos mundesh askush ta ndajë prej saj. Sa lotë derdhi gjatë atyre nëntëmbëdhjetë vjetëve malli përvëlues, i cili qe shumë më i nxehtë se dielli i korrikut. Sa e sa herë e kujtoj atë moment të ndarjes, kur e la të birin për herë të fundit me duar të zgjatura kah ajo dhe vetëm kur e mendonte këtë pamje i kujtohej më së miri fytyra e tij. Iu duk se i biri donte ta luste të mos ndaheshin, por ajo ia ktheu shpinën, kurse kali vazhdonte të ecë rrugës përpjetë, t’i ndajë e t’i largojë ëmë e bir prej njëri – tjetrit, edhe pse këtë nuk e dëshironin asnjëri.
Aq më tepër e lodhnin edhe mendimet se i biri nuk dinte asgjë për të, për vuajtjet e së ëmës dhe për dashurinë e harruar. Mendonte se i biri do ta përfytyrojë tash vetëm si një grua zemërkeqe, të shëmtuar dhe shtrigë, e pa fije dashurie për të birin, të cilën e urrente pse e kishte lënë atë pa nënë për t’u martuar me tjetërkend.
Atij kurrë nuk do t’ia tregojë kush romanin e jetës së saj. Atë roman të pashkruar të malësores, i cili me siguri një ditë do të harrohet, ashtu sikur janë harruar edhe mija e mija të tjerë në këto male të Llapit e të Gollakut, atë roman që e shkruan njerëzit me pashpirtësinë e tyre ndaj njeriut. Romanin për vuajtjet e njeriut nga njeriu. Romanin që zë fill dikund në Gollak, me një vajzë të bukur që ende nuk e kishte shijuar jetën që vazhdon për një grua të pafat dhe që përfundon me …
Mendimet e tilla e lodhnin Hajrinë tash më tepër se gjithçka.
Friga se mos e kishte humbur dashurinë e të birit nuk e lente të qetë, sa herë që i kujtohej jeta e tashme e lumtur. Dëshironte vetëm të dijë se a e urrente ai apo jo dhe se a dëshironte të shohë ndonjëherë të ëmën. Çfarë lehtësimi do të ndjente ajo vetëm sikur ta dinte se i biri e donte, nuk e kishte harruar kurrë dhe se mendonte gjithnjë për të. Por, në atë rnoment në kokë i fluturonte përherë një mendim i ftohtë: “Me më pas dashtë kishte ardhë ndonjiherë. Ai tash asht burrë, kishte mujtë me ardhë!” i thonte vetes dhe pikëllohej përsëri.
E sa e sa mendime nuk e lenin të qetë shpeshherë edhe pas kaqë vjetësh; aq shumë pikëllohej nganjëherë sa dilte e shikonte përmallshëm qiellin e përhimtë, andej në drejtim të katundit, ku e la të birin, thua se përpiqej ta shihte atë copë qielli që e mbulonte atë.
Nazmi Rrahmani lindi në Ballovc të Podujevës. U shkollua në Podujevë dhe në Prishtinë. Studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i kreu në Prishtinë. Pas studimeve punoi si gazetar në Radio-Prishtina e më pas te gazeta “Rilindja”, për të vazhduar në redaksinë “Jeta e Re” dhe më pas në redaksinë e botimeve “Rilindja”. Aktualisht jeton në Prishtinë.
Ka botuar romanet: Malësorja, 1965, Pas vdekjes (Kthimi i njeriut të vdekur), 1975, Tymi i votrës së fikur, 1969, Toka e përgjakur, I,I1,1973, Rruga e shtëpisë sime, 1978.
Nazmi Rrahmani në romanet e tij i ndërlidh, i përplotëson historitë dhe bëmat, fatet e personazheve të shumtë përmes sajimeve krijuese imagjinative. Ngjarjet e rrëfyera nga njerëzit dhe për njerëzit e kësaj hapësire kosovare shtrihen brenda harkut kohor që kap gati gjysmën e parë të shekullit njëzet dhe janë pasqyrë dhe dokument i fshatit të atëhershëm, e pjesërisht dhe të atij të sotëm.
Për pozicionimin e shkrimtarit ndaj realitetit, për vizionin e tij jetësor dhe filozofik, vlen të sjellim një mendim nga studimi monografik i Sabri Hamitit: “… realiteti është edhe jashtë nesh edhe në ne. Ai ekziston në vetëdijen e njeriut të vetëm në formën e njëmendësisë, në formën sa njeriu mund ta njohë”.
Në veprën letrare, në roman, kjo shkallë e përngjasimit me realitetin, nuk mbetet në nivelin e njohjes, por merr një trajtë më individuale, subjektive dhe manifestohet si qëndrim i individit. Duke u menduar t’i shmanget këtij subjektivizmi, Nazmi Rrahmani i ndërthur ndodhitë dhe idetë qenësore në vepër rreth një boshti themelor, personazhit, të cilin e vendos në një mjedis të caktuar jetësor. Plkërisht nga ky kontekst tërësor i realitetit, autori nxjerr personazhe që përputhen plotësisht me perspektivën e zërit autorial të tekstit.
E përgatiti: A.S. – ObserverKult
Lexo edhe:
PAK DRITË! PAK DRITË! PAK DRITË, O SHOK, O VLLA…TRI POEZI TË ZGJEDHURA NGA MIGJENI