Nga Mustafa Greblleshi
Më 20 të Shëndreut 193…
Tashmâ ditët kalojnë mâ se në harmonì. Në zemrën e saj nuk ka vend mâ pezmatimi: ai u shpërngul për t’u strehue kushdiku.
Po ashtu, edhe mue më gjanë sikur po notoj për herën e parë në detin e lumnís. Asnji herë nuk e kam ndì vehten kaq të lumtun.
Porsa të kujtoj Margeritën, të gjitha mendimet që vërviten në trútë e mija, shporren t’egërsuem. Nji shndërrim rranjësuer kam pësue në të gjithë botën time të mbrendshme. Të gjitha ato rryma pesimizmi që më kishin kapërthye parandej, pothuej se nuk janë mâ.
Rrallë më kapin nga ndonji herë mendime t’idhta, të cilat zhduken në çast porsa më shfaqet fytyra e bukur e saj me ato nënqeshje magjepse.
Zani i saj i holl më tingllon si jonet e ambla të nji muzike qiellore: më gjanë si cërcërimi i zogjvet apo i bilbilit çapkën.
Do të dojsha akoma që ta kem mirë edhe me shokët. Mister po më mbetet indiferenca e tyne. Përse, vallë, nuk na kqyrin me sy të mirë? Na urrejnë apo na kanë zilì për këtë…miqsì.
Do të kisha dashtë me u këshillue me ta, me e marrë vesht se ku e kanë hallin; por Margerita më ka ndalue sa herë që jam përgatitë me e sulmue ndonjanin. Ajo thotë se tymi ynë të shkojë drejt, të tjerët le të thonë ç’të donë.
Më vjen keq që të veproj kundër dëshirës së saj, por edhe shikimet e mpakuna që më lëshon herë mbas here Andrea, më janë ende enigmatike, megjithse ai më ka dashtë dhe më don gjithnji mirë.
Ato vështrime duket sikur shprehin keqardhjen ma të madhe për mue: më gjanë sikur don të më thotë dishka nëpërmjet tyne, por prap heshtet e s’flet.
*Shkëputur nga romani: “Gremina e dashunis” i Mustafa Greblleshit
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe:
RRËFIMI I VLADIMIR PRIFTIT: SI SHPËTOI NGA GREMINA NDRIÇIM XHEPA?