
Ismail Syla, «Manifest në brinjë», botoi ARTINI, Prishtinë, 2025
“Manifest në brinjë” është një libër që nuk kërkon mëshirë. Ai nuk thotë “shikoni çfarë më bënë”, por “ja çfarë nuk arritën të më marrin”. Një libër që shkruhet me brinjë dhe gdhendet me dhëmbë duhet trajtuar ashtu siç trajtohen plagët e trupit që i shkaktojnë vargonjtë e robërisë. Për plagët e shpirtit, tashmë janë kujdesur vetë vargjet brenda librit.
Nga Isuf Sherifi
Libri më i fundit poetik “Manifest në brinjë” – lirikë burgu – i poetit Ismail Syla, nuk është një libër në kuptimin tradicional narrativ. Ai nuk rrëfen një histori lineare, nuk ka zhvillim klasik as kulm dramatik. Përkundrazi, është një hapësirë e brendshme poetike, ku çdo fragment është si një frymëmarrje e shkëputur, por e domosdoshme për mbijetesë. Forma fragmentare nuk është zgjedhje estetike rastësore: ajo pasqyron gjendjen psikike të njeriut të mbyllur, kujtesën e copëzuar dhe mendimin që jeton nën presion.
Çdo tekst i shkurtër funksionon si një njësi rezistence, një pohim se subjekti ende ekziston, ende mendon, ende flet edhe kur fjala është e rrezikshme.
Kujtesa si akt qëndrese
Poezia “Kujtim që rri në këmbë ” me vargjet pasuese: Nuk ndjehem më djalë i ri/më shumë kujtim i gjallë/që ende rri në këmbë/, është strumbullari etik i librit. Kujtesa nuk paraqitet si nostalgji, por si formë kundërshtimi ndaj zhdukjes. Të mbash mend do të thotë të mos dorëzohesh, të mos lejojë që dhuna ta fshijë identitetin.
Kujtesa këtu është e dhimbshme, por e domosdoshme- ajo që e mban subjektin në kufirin mes arsyes dhe çmendurisë.
Trupi si arkiv dëshmie
Trupi në këtë vepër nuk është thjesht biologjik. Ai bëhet /plagë katrore/ku qielli hyn pa frymë/ apo hartë burgjesh ku asnjë legjendë nuk e shënjon adresën e shpirtit, figura që tregojnë se dhuna nuk ka nevojë për dokumente zyrtare: ajo jeton në përjetuesin e dhunës. Mungesa e legjendës së shpirtit në këtë hartë është thelbësore. Shpirti mbetet i paarritshëm për sistemin shtypës.
Gjuha, heshtja dhe errësira si aleate
Një nga aspektet më të forta të librit është fuqia e fjalës së pathënë. Liria në poezinë «Fjalë që e çajnë betonin» nuk përsëritet, por ndihet si një fjalë që autori /vetes ia pëshpërit gjithmonë/. Ajo nuk ka nevojë për jehonë të zëshme për të vepruar.
Tutje jo vetëm tek kjo poezi, por edhe tek shumë të tjera, autori tregon se edhe heshtja mund të kuptojë. Gjuha shndërrohet në akt të brendshëm, jo në komunikim të jashtëm.
Në vend që errësira të jetë vetëm simbol i frikës, ajo kthehet në hapësirë introspeksioni. Pa dritë të jashtme, shikimi bëhet i brendshëm. Pa zhurmë, dëgjimi thellohet. Kjo është një përmbysje filozofike shumë e fortë: ajo që synon të të thyejë, mund të shndërrohet në mjet mbijetese.
Jehona dhe vetmia
Jehona është një nga simbolet më poetike të librit. Zëri që kthehet më i qartë se origjinali tregon se vetëdija e brendshme është më e fortë se zëri fizik. Kjo e bën subjektin më të fortë.
Stili i Sylës mund të përshkruhet si minimalist, por me një ngarkesë të fortë kuptimore, ku metafora përdoret me masë dhe pa zbukurime të panevojshme. Ai ndërtohet mbi kundërvënie të vazhdueshme si errësirë dhe dritë, heshtje dhe zë, trup dhe shpirt, të cilat krijojnë tension dhe thellësi etike. Çdo fjali mund të lexohet më vete si një lloj aforizmi poetik, por vetëm brenda kontekstit të librit ato bashkohen dhe marrin formën e një manifesti njerëzor dhe moral, që flet për përvojën, dinjitetin dhe përgjegjësinë e njeriut.
“Manifest në brinjë” është një libër që nuk kërkon mëshirë. Ai nuk thotë shikoni çfarë më bënë, por “ja çfarë nuk arritën të më marrin”. Dhe kjo dinamikë poetike është boshti kurrizor i krejt librit. Manifesti nuk shkruhet në letër sepse letra mund të konfiskohet; ai gdhendet në trup, në gjuhë, në kujtesë.
Kjo vepër qëndron si një dëshmi e fuqisë së shpirtit njerëzor, por edhe si paralajmërim: aty ku fjala ndalohet, poezia bëhet formë mbijetese.
Zgafellë e re poetike
Një libër që në vete ngërthen vargje si tek poezia «Pema», ku një shkop i thatë në oborrin e burgut që rri ngulur në tokë, «vishet» dhe «mbushet» nga autori dhe shndërrohet në pemë, për ta «zbukuruar» errësirën që të mos harroj se si duket jeta, mund të vijë vetëm nga një shpirt poeti, që komunikimin poetik e ka mënyrën më të sofistikuar dhe ndërdisiplinore për të mbijetuar.
Kur brinjët bëhen metaforë dhe simbol qëndrese, një arkiv ku shkruhet një manifest që shpërfaq, përmes secilit varg, strategji mbijetese, edhe grilat thyhen para brinjëve dhe valsi poetik merr fluturim si pëllumbat që enden në qiell dhe kthehen në shtëpizën e vet, pasi të kenë mbushur “normën” e ditës. Në këtë rast krijohet përshtypja se çdo poezi i ngjan një fluturimi të tillë, për t’u kthyer sërish te shtëpiza – shpirt dhe trup – i poetit Syla.
Ismail Syla, pas librit të tij të parafundit “Ëndërr në Zarf”, edhe me përmbledhjen e tij të fundit “Manifest në brinjë”, vazhdon të befasojë për të mirë, duke hapur zgafelle të reja në minierat poetike të letërsisë shqipe.
Po e mbyll këtë vështrim me vargjet programatike të librit, të cilat, edhe pse vetëm tri vargje, shpalosin gjithë shpirtin e tij, nga fillimi deri në fund.
Libër i mbyllur me kapakë prej guri,
irnosur në duar, ënjtur në këmbë,
shkruar me brinjë, gdhendur me dhëmbë.
Për ta lexuar këtë libër duhet një forcë e madhe shpirtërore, që të mund t’i lëvizësh nga vendi këta kapakë guri. Muskujt këtu nuk hyjnë fare në punë. Për të ndier flakën që djeg duart dhe prushin që përvëlon këmbët, duart nuk duhet t’i kesh të irnosura, as këmbët e ënjtura.
Një libër që shkruhet me brinjë dhe gdhendet me dhëmbë duhet trajtuar si plagët e trupit që lënë pas vargonjtë e robërisë. Për plagët e shpirtit, ndërkaq, janë kujdesur vetë vargjet e tij. Në to fjala bëhet autoterapi, një përpjekje e ngadaltë për t’i shkërmoqur traumat e burgut dhe për t’i çliruar nga pesha e kujtesës.
ObserverKult
Lexo edhe:






