Françesk Radi, vuajtjet që i përjetoi në komunizëm

Artistët origjinalë si ai nuk lindin shpesh dhe sigurisht që është dramë, kur kaq të rrallë sa janë, këta artistë lindin dhe në kohën e gabuar siç lindi Françesk Radi në diktaturë, e megjithatë shpirti i tij artistik mbijetoi.

Një kantautori nuk mund t’i marrësh talentin, një artisti origjinal nuk mund t’i marrësh artin, por mund t’i marrësh skenën dhe këtë regjimi diktatorial në Shqipëri e bëri me Françesk Radin duke e dërguar fill pas diplomimit në Akademinë e Arteve, për plot 20 vjet në Fushë-Arrëz.

Qarkullimi i profesionistëve ishte një procedurë e zakonshme e atyre viteve, por të dërgoje një nga artistët më të spikatur të brezit të tij e ndoshta të gjithë muzikës moderne shqiptare, kantautorin e parë shqiptar, këngëtarin e parë që shfaqej në skenë me kitarë, mësues në një vend të vogël, sigurisht nuk ishte pjesë e procedurës.

Ishte masa që u mor ndaj artistit që ishte komentuar disa herë për pamjen, veshjen dhe stilin e tij ndryshe dhe për të cilin në një kohë si ajo e diktaturës, sigurisht që njihej prejardhja familjare.

Nga e ëma, ai kishte të afërm Vinçens Prennushin, klerikun folklorist e poet, që humbi jetën në burgjet komuniste dhe nga i ati, Lazër Radin, juristin dhe përkthyesin e dënuar gjithashtu me burg dhe që në vitin 1972 kur i erdhi radha Françesk Radit të qarkullohej, jetonte në internim si punëtor krahu në bujqësi.


Transferimi i tij ndodhi pas të famshmit festivali i 11-të i këngës në RTSH


Kështu që edhe djaloshi i ri, i shndërruar në një artist të njohur me këngët “Adresa” dhe “Biçikleta” që, për hir të suksesit të tyre, u kthyen edhe në videoklipe, të parat në Shqipëri, u dërgua në Fushë-Arrëz.

Transferimi i tij ndodhi pas të famshmit festivali i 11-të i këngës në RTSH, kur Françesk Radi, këngëtari i hiteve “Adresa” dhe “Biçikleta” solli këngën-protestë ndaj luftës në
Vie tnam “Kur dëgjojmë zëra nga bota”.

Qëndrimi kundër kësaj lufte përputhej me qëndrimin e përgjithshëm të politikës në Shqipëri, por një djalë me flokë paksa të gjatë me kitarë në krahë, që kundërshtonte luftën me muzikë përputhej gjithashtu me rininë pacifiste dhe liberale që kishte krijuar një rrymë botërore në vitet ’70 dhe kjo ishte e ndaluar në Shqipëri.

E megjithatë sesi u kombinuan arsyet e qëndrimit ndaj Françesk Radit i dinë vetëm ata që e thurën këtë qëndrim dhe e kthyen në një masë ndaj tij, në mbledhjen e Lidhjes së Artistëve, pas këtij festivali. Françesku do të kritikohej dhe rruga e tij artistike e nisur në kryeqytet do të ndërpritej për t’u dërguar në rrethin e Pukës.

Nuk mundën t’ia merrnin talentin, as stilin, as ngjyrën e zërit

E megjithatë nuk mundën t’ia merrnin talentin, as stilin, as ngjyrën e zërit, as të kënduarit me kitarë dhe as shpirtin e artistit, por ia plagosën.

Aq më tepër qe te njerëz si Françesk Radi, artisti dhe njeriu kanë të njëjtin shpirt. “Shkëputja ime prej disa vitesh jashtë muzikës, jashtë profesionit, ka lënë gjurmë, la gjurmë në atë kohë sepse një muzikanti, një kantautori t’i heqësh të drejtën e profesionit, ka qenë gjë e tmershme.

Aty ku isha ishte e vështirë të bëja atë që ndieja, ishte e vështirë që unë të dilja jashtë karakterit tim. Muzika nganjëherë është edhe vulë e kohës, kështu që çdo gjë shkoi edhe me kohën…”, është shprehur Françesk Radi dikur.

E megjithatë ai nuk ishte njeriu që ankohej për goditjet dhe që i shprehte publikisht vuajtjet.

Ndërroi jetë më 3 prill 2017


Ai ishte njeriu-artist që ulte kokën mbi kitarë, për t’i shndërruar në krijime muzikore temat shoqërore të kohës, për të lënë pas një muzikë origjinale dhe mesazhe të pashlyeshme, siç e tregoi që në vitin 1972 me këngën e Vie tnamit. Siç bëri pas viteve ’90 kur iu rikthye skenës së privuar me këngë si “Rroku i burgut”, “Humba pranverën”, “Zemër e plagosur” etj..

Françesk Radi lindi më 13 shkurt 1950, jo në vitet më të mira për një artist si ai, megjithatë arriti ta mbajë gjallë shpirtin artistik dhe të përdorë në të mirë të muzikës edhe dëmin që iu bë karrierës së tij.

Në vendin e izoluar verior ai njohu nga afër folklorin dhe instrumentet popullore, që ia shtoi muzikës dhe interpretimeve të tij, duke prodhuar krijime shumë origjinale në vitet në vazhdim, deri kur mbylli sytë para kohe, pas një hemorragjie cerebrale, më 3 prill 2017./panorama.com.al

————-

Lexo edhe:

Françesk Radi & Mariza Ikonomi: Kujtoj me mall ditën kur linde… (teksti dhe kënga)

ObserverKult