Frederik Ndoci: Artisti që debuton për të marrë një trofe shpejt bie në grackën e korrupsionit !

Muzika, kinemaja, poezia dhe piktura bëjnë që Frederik Ndoci të quhet sot një multiartist i vlerësuar për të gjithë atë krijimtari që ai ka sjellë ndër vite, por që sukseset po i vijon edhe sot. Në një intervistë për ObserverKult, Ndoci ka folur për rrugëtimin e tij deri më sot në këto fusha, emigrimin, Festivalet e shumë të pathëna tjera të cilat mund t’i kuptoni në vazhdim.

Intervistoi Lindita Canolli-Fejzullahi/ObserverKult

Keni një jetë në skenë si këngëtar, instrumentist, aktor, me angazhime të shumta dhe të njëpasnjëshme që nga fëmijëria. Nëse riktheheni në kohë, çfarë do të donit të veçonit?

Frederik Ndoci: Në fakt vetë jeta e gjithsecilit është art në sensin e saj edhe të përvuejtshëm edhe të lumtur. Por, unë do të veçoja artin sa i vogël në sipërfaqe e sa i madh është kur je brenda. Sa i madh është ta përshkruash kur je jashtë tij dhe sa e zorshme është ta përshkruash madhështinë e tij.

Nëse do rilindja edhe një herë nuk do të isha aspak ky që ju vlerësoni nga larg e afër, por shumë e ma shumë dimensional sepse limiti infinit i tij është gjithsesi.

Fillimet sigurisht se lënë vrragë, po a janë përcaktuese për një artist?

Frederik Ndoci: Edhe fëmija kur hedhë hapat e parë i duket shumë e vështirë nëse e ndjek fytyrën engjëllore të tij në praktikat e hapave të parë. Ashtu edhe arti që në thelb ka të bukurën, por që shpesh pseudoartistë dhe despot të paaftë që vet quhen artistë, janë marionetat e heshtat që shpojnë muzat dhe engjujtë që i sillen rrotull artistit dhe artisti derdh lot tek sheh gjakun e e gjejve që duan ta mbrojnë dhe japin lehtësisht jetët e tyre. E artisti qan e lotët e tij vadisin ripërtëritjen dhe rritjen e pa masë të dimensioneve të tij.

Ishte një kohë e vështirë për artistët e mirëfilltë? Si u gjetët ju gjatë periudhës së diktaturës? A mundet të fluturonit, apo ua prenë krahët?

Frederik Ndoci: Mund ta definoja artistin e lirë dhe diktaturën rreth tij si ‘Beauty and the Beast’. Ku vetëm 1/100 është domosdoshmëri. ‘The Beast’ (diktatura) sepse censuronte artistë mediokër dhe të paaftë edhe pse rriste mjaft të paaftë që militonin dhe ishin lëpirës të diktaturës.

Të rritesh mes tyre dhe t’i shmangesh në mënyrë sportive plumbat dhe flakën e tyre do të thotë se do mbetesh i pavdekshëm. Edhe pse lirinë nuk ua preku shpirti por e quajti liri mënyrën e vet se si e shpalosi dhe e bëri artin e tij individual të pavdekshëm edhe pse u lind në ferr.

Megjithatë janë shumë e shumë këngë tuaja të asaj kohe që tashmë janë pjesë e korpusit të këngës së bukur e të mirëfilltë shqipe. Cilat eksperienca, këngë, prezantime, performime do veçoje?

Frederik Ndoci: Kur një nanë ka shumë bijë, është shumë e zorëshme për të me veçue ma të mirin!

Edhe artisti nuk mund ta veçojë asnjë nga krijimet e tij, sepse mendon se energjia për t’i krijuar secilin ka qenë e njëjtë vetëm se në kohë, vend e me audiencën e veçantë që e përceptojnë dhe e vlerësojnë.

Ma së miri e ndjej kur vij në Kosovë dhe shpesh spektatorët kërkojnë edhe këngë që shpesh mbesin në hije pasi sasia e tyre nuk përkon me kohën që e ke në dispozicion një natë me 4-5 orë koncert. Sasia e tyre tashmë është rreth 400 këngë. Edhe 40 mijë këngë nga repertori i tanë botës. E cili është ai programues përfekt me zgjedh 40-50 për një natë që t’i kënaqë tanë plotësimin e njohjeve që ka spektatori për artistin?

Të jetosh me këngën. Si është kjo lloj jete?

Frederik Ndoci: Është e lehtë në dukje por më besoni se është shumë e rëndë në thelb. Sepse thua me vetveten s’kam bë asgjë çfarë kam në shpirt. E nuk na del jeta me i përfundue të gjitha.

Keni marrë pjesë në shumë festivale… ku keni rrëmbyer edhe shumë çmime. Cili është raporti juaj me çmimet?

Frederik Ndoci: Artisti që debuton për të marrë një trofe shpejt bie në grackën e korrupsionit pasi rritja e aftësive personale me rritjen e aftësive të atyre që të rrethojnë rritet gjeometrikisht dhe kurrë nuk e kupton se ma mirë është me u mundu me nxjerr diçka të bukur në kohë dhe për njerëzit se sa me mendu se si do të ma vlerësojnë njerëzit. Pastaj sa lekë paguajta për të arritur trofenë e pa merituar.

Ishit përfaqësues i Shqipërisë në Eurovision. Çfarë kujtoni nga ai edicion?

Frederik Ndoci: E përmend edhe shpesh se ai kompeticion në dukje është gjigand, por në të vërtetë mbetet shumë i vogël për njerëzit e vërtet dhe konservator. Pasi sinqeriteti i shpërfaqjes tënde nuk përkon me atë ‘çerdhe liberale dylberash’ që skepticizmin dhe allishverishin e kanë profesion. Ku e bukura 98% nuk ka vlerë.

Jeni nominuar për çmimin ‘Gramy’, në disa kategori, sa ka qenë kjo e rëndësishme për ju dhe si shkoi?

Frederik Ndoci: Po t’i thuash njerëzve se kam qenë i pari artist nga Ballkani, nga Shqipëria dhe nga Shkodra që kam qenë 15 herë si emër i nominuar për ‘Grammy Awards’ ka edhe prej atyre që qeshin ngaqë mendojnë se bëjë pjesë në grupin e artistëve që blejnë klikime, tituj e vlera me lekë.

Sigurisht kur ia thashë në vitet 2006 një miku që më njihte mirë dhe kishte koefidencë, më tha pa turp: “Po pse gënjen mor burrë?!” Kur ia hapa linkun e internetit dhe ia faktova u zverdh. E priste të nxirrja shpatën e t’ia preja kokën. Por në fakt i thash, nuk është faji im që je rrit dhe jeton mes gënjeshtarësh.

Një kohë keni jetuar jashtë Shqipërisë. Sa i ka dhënë e sa i ka marrë artistit Frederik, emigrimi?

Frederik Ndoci: E vetmja gjë pozitive që kam fituar nga emigrimi ka qenë farkëtimi personal në cilësi si artist për të qenë i balancuar me konkurrencën nëpër botë duke përfeksionuar artin.

Më ka ndihmue shumë në krijimtari për mallin për Atdheun…se jam kompozitori me ma shumë këngë atdhedashurie se disa kompozitorë bashkë.

Si shihet skena kulturore shqiptare nga ajo distancë?

Frederik Ndoci: Arti asht art dhe pse shpesh kohët e fundit po shfaqet jo edhe aq i mbështetun në etnon tonë. Po e vjedhin diku nga larg dhe padrejtësisht po e këndojnë melosin e dikuj tjetër në shqip.

Detyra e artistit është të drejtohet e të ngjitet lartë nga kritika dhe jo të vetëvlerësohet nga plagjiatura. Askush nuk mundet me e kthye tashmë në mënyrë të rrufeshme drejtimin që ka marrë arti në përgjithësi, por avash-avash po e bëjmë të rezistueshëm.

Frederik Ndoci, aktor. A ka përfunduar ajo periudhë apo do vazhdoni njëkohësisht me këngën!

Frederik Ndoci: Ma dha USA para disa vitesh lumturinë e venitur të aktrimit, më pas edhe në Tiranë u bë i mundur një rol në një film grotesk kinokomedi. Mendoj se kënga është art ma i koncentruem dhe zingjirorë. Po ashtu është më e zorshme në 3-4 minuta sesa të japësh një sekuencë filmi 2 orësh.

Pra mbetet ma e lehtë për ne dhe ma e zorshme për publikun për ta kuptuar rëndësinë e profesionalizmit dhe kujdesit që duhet treguar kur shkruan muzikën dhe tekstin e një kënge.

Ju keni hapur edhe ekspozitë me piktura, shkruani dhe keni botuar libër me poezi. Artist mulitidisiplinar, si ndërveprojnë mes vete këto prirje?

Frederik Ndoci: Çdo zhanër arti ka lidhjen dhe të padukshme ndasinë specifike që përmban.

Por të shkruash një poezi pa menduar muzikalisht del e fshehtë dhe e pa jetë. Të pikturosh pa menduar fjalët e shpirtit dhe melosin në ngjyrat që hedhë del pikturë abstrakte dhe aplikacion që sot ndeshim shpesh ku e ka të vështirë edhe piktori me ia vënë titullin e saktë.

Po për cilat nga to Shqipëria është vend më dashamirës?

Frederik Ndoci: Shqipëria nuk e ka të lehtë të jetë sot në stadin që është Viena për të dëshmuar dhe për të vlerësuar artistët dhe për t’i dhënë meritat e vërteta. Shpesh po ndeshim në dhënie titujsh e vlerash edhe si militant partie edhe pse me thelb mund të jesh amator në art 100%.

Shqipëria zor se i harron artistët e vërtet edhe pse sot shumë prej tyre nuk e kanë të lehtë të mbijetojnë.

Si e jetoni shpirtërisht kohën e sotme?

Frederik Ndoci: Mundohem të përziej jetën e përditshme me krijimtarinë dhe me gërshetimin në debutim dhe në përjetim kur regjistroj. Jetojmë në artin e ekonomive politike ku në fakt shumë nuk kemi dëshirë me kthye politikën ekonomike me bë art.

Si do të vazhdoj rrugëtimi juaj artistik, në Shqipëri apo jashtë vendit? Keni ndonjë plan a projekt tash afër?

Frederik Ndoci: Jeta vazhdon dhe sa të jetë jeta arti gëlon i lirë edhe në energji krijimi edhe në energji debutimi.

Projekte pa fund, këngë pafund. I lutem Zotit vetëm për kthjelltësi e paqe që brezat të kenë oqean arti nesër kur të shfletosin sado pak karrierën e një artisti që quhej dikur Frederik Ndoci.

Ju faleminderit për kohën, gjithë të mirat

Ju faleminderit juve dhe gjithë atyre që u harxhova kohën e lirë m’i lexue këta rreshta.

Ju jam borxhli pafund!

ObserverKult


i dehun jam frederik

Lexo edhe:

FREDERIK NDOCI TREGON PRAPASKENËN: MERRNIN DREJTORIN NË TELEFON, E FAVORIZONIN PARASHQEVI SIMAKUN

Këngëtari i njohur, Frederik Ndoci, i ftuar në një intervistë televizive ka bërë një rrëfim ndryshe për jetën e tij private. Por edhe jetën artistike. Mes të tjerash ai ka bërë me dije se këngëtarja Parashqevi Simaku, kishte simpatizantë në Komitetin Qendror.

Ai tregon se ata të kërkonin edhe favorizimin e saj nga Drejtori i Radio Televizionit Shqiptar, Marash Hajati.

Shkodrani ka folur pa doreza dhe hapur për diçka të tillë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult