Fridrih Paulus: Defekti i ushtrisë gjermane në Stalingrad

Paulus dhe Stalingrad, kur përmendet emri i njërit të shkon mendja te tjetri. Janë dy emra që do të jenë gjithmonë të lidhur.

Fridrih Paulus, emri i komandantit gjerman që me dështimin e tij shkaktoi një nga disfatat më të mëdha në historinë e njerëzimit dhe vetë emri i vendit në Rusi ku zuri vend kjo disfatë.

Friedrich Paulus (Fridrih Paulus) lindi në vitin 1890 në Brajtenau, një qytezë e vogël në Hese. Edhe pse të afërm të tij atje kishin qenë njerëz me pozita, babai i tij kishte qenë një nëpunës i thjeshtë publik; arkëtar i një shkolle.

Ai trashëgoi shëndet, fizik të mirë dhe një reputacion deri diku fisnik, por prapë se prapë ai ishte një “fon”, një parashtesë e fisnikërisë gjermane të implikuar në ushtri, e cila shpesh në mënyrë të gabuar i atribuohet atij.

Ai do ta vuante mungesën e statusit të tij social kur ai refuzohet në Shkollën e Kadetëve të Flotës Peraandorake. I zhgënjyer ai studion drejtësi në Universitetin e Marburgut, por shpejt i mbylli studimet kur Ushtria Gjermane po zgjerohej në 1910. Ai hyri në shërbimin ushtarak si një oficer kadet për një njësi provinciale, III Regjimenti Këmbësorisë.

Brenda dy viteve ai mori gradën e lituenantit (togerit) dhe në këtë njohu edhe të shoqen. Fëmija i tyre i parë, një vajzë, lindi në 1914, viti në cilin Paulusi shkon në luftë.

Gjatë Luftës së Parë Botërore ai shërbeu si adjutant i stafeve të njësive ku ai bënte pjesë. Më e rëndësishmja për karrierën e tij ishte kur ai u bë adjutant për Alpenkorps, një formacion i cili përdorej si rezervë për luftimet malore.

Formacioni në të cilin mori pjesë Paulusi luftoi në Ballkan dhe në betejën e përgjakshme të Verdunit. Armë pushimi e gjeti Paulusin me gradën e kapitenit dhe me dekoratat e Kryqit të Hekurit klasi I dhe II. Gjatë kohës në ushtrinë e Reischswehr-it (Ushtria gjermane midis dy luftërave) ai filloi të evidentohej si një oficer që i mungonte vendosmëria, një e metë e cila do të tregohej qartësisht në angazhimin e tij më të madh, e cila përfundoi në katastrofë për Gjermaninë, beteja e Stalingradit.

Por ka bashkëkohës të tij në ushtri që e vlerësojnë për modestinë, maturinë dhe talentin e tij ushtarak. Në vitin 1930 ai filloi të angazhohej në forcat e mekanizuara të cilat ishin në embrionin e tyre dhe në 1934-ën ai drejtoi një nga batalionet e para të mekanizuara dhe më vonë u bë Shef Shtabi në bazat e reja qëndrore të pancerzve në Berlin.

Kur fillon Lufta e Dytë Botërore ai bëhet shef stafi i Ushtrisë së 10 e cila avancon pa problem në Poloni në 1939. Ky formacion i madh ushtarak, i komanduar si në Poloni dhe tashmë në Francë nga Valter fon Rajhenau, në fushatën e 1940 u emërua Ushtria e 6. Pas suksesit të shpejtë në Francë në shtator ai emërohet si Shef i logjistikës i OKH (Komandës së Lartë të Ushtrisë) dhe në fund të 1940 planifikon Operacion Barbarosa për pushtimin e Rusisë.

Kur Hitleri sulmon në Rusi, Ushtria 6 bën pjesë në formacion e Grupit Ushtarak Jugor, që u mësym në Ukrainë. Në fund të 1942 Rajhenau vdiq dhe zëvendësi i tij Paulusi, u bë komandant i Ushtrisë 6. Plani Barbarosa dështoi në 1941 dhe tashmë Hitleri i ndryshoi planet e tij dhe lëshoi një ofensivë të re verore në vitin 1942 me synim për të shtënë në dorë Kaukazin.

Ushtria 6 nën drejtimin e Paulusit rropatet e patrazuar përgjatë gjithë avancimit të saj drejt qytetit të Stalingradit. Ky ishte një qytet i cili kishte rëndësi për suksesin e operacionit pasi jo vetëm që do të stabilizonte frontin në favor të gjermanëve, dhe do të pushtohej një zonë e madhe industriale duke dëmtuar edhe prodhimin industrial të Bashkimit Sovjetik, por për më tepër marrja e Stalingradit do të përbënte një ‘shok’ psikologjik për popullin rus pasi kjo qendër urbane kishte emrin e liderit të madh sovjetik, Josif Stalin.

Beteja e Stalingradit filloi në fund të gushtit 1942. Shumë shpejt Ushtria 6 ngeci në luftimet e ashpra urbane që e karakterizuan këtë betejë që në fazat fillestare. Kur sovjetët kundërsulmuan duke e rrethuar Stalingradin me 23 nëntor 1942, Paulusi kërkoi leje që të tërhiqej dhe të godiste avancimin rus, por Hitleri e ndaloi. Rrethimi u mbyll dhe xhepi filloi të eliminohej gradualisht. Paulusi u dorëzua me 31 janar 1943, në të njëjtën ditë kur Hitleri i dha gradën e Feldmarshallit (grada më e lartë ushtarake në ushtrinë gjermane).

Hitleri e bëri këtë sepse në këtë mënyrë ai besonte se mund ta detyronte Paulusin që të kryente vetëvrasje dhe të shpëtonte nderin e ushtrisë gjermane.

Pasi iu dorëzua rusëve ai qëndroi në internim për 11 vjet, por kurrsesi nuk u trajtua keq. Ai nuk e pa më gruan e tij e cila vdiq në 1949 në Gjermaninë Perëndimore. Paulusi vetë vdiq në një klinikë në Dresden në moshën 67-vjeçare./konica