Fromm: Dashuria është një akt besimi. Kush beson pak, dashuron pak!

Nga Xhoana Sulaj

Vepra “The Art of Loving“ ( Arti i të Dashuruarit) të psikoanalistit dhe filozofit social E Erich Fromm, botuar në vitin 1956, do të zhgënjejë shumë lexues që librin e kanë blerë me idenë se në faqet e tij do të lexojnë një udhëzues për të bërë për vete dikë. Ky libër është shumë më shumë se aq, por vetëm një udhëzues jo.

Fromm do të na tregojë se dashuria nuk është një ndjenjë, por një aftësi që mund të mësohet dhe zhvillohet. ! Ai e refuzon idenë e dashurisë si diçka magjike, misterioze e cila nuk mund të shpjegohet. Fromm është gjithashtu skeptik në idetë popullore, se mund “të biesh në dashuri” dhe të jesh “i pafuqishëm përballë dashurisë”.

Si fillim autori niset me idenë që dashuria është Art, dhe duke e krahasuar dashurinë me artin ai thotë se në shumicën e rasteve ajo nuk trajtohet seriozisht por me së shumti si diçka obliguese.

Për këtë skepticizmi i tij për një dashuri të pavullnetshme ka arritur deri këtu, sepse kurdoherë në shoqëri, dashuria është marr si variant i dytë në jetë, jo si diçka parësore por e krijuar nga kushtet dhe rrethanat në të cilat jetojmë.

Por si ta kuptojmë dhe vëmë në praktikë Artin e të dashuruarit sipas Erich Fromm?!

Arti i Të Dashuruarit, sipas Erich Fromm ka një karakter aktiv të dashurisë i cili duhet të përmbajë më shumë se tërheqje apo ndjenja, ai duhet të përfshijë katër elementë themelore: kujdesin, përgjegjësinë, respektin dhe njohurinë.

Për të kuptuar plotësisht idetë e ilustruara në librin e Fromm, para se të analizosh natyrën e dashurisë duhet të zbulosh mungesën e saj të përgjithshme sot dhe të kritikosh kushtet shoqërore që janë përgjegjëse për këtë mungesë. Pas kësaj duhet të kesh besim në mundësinë e dashurisë, si për një fenomon shoqëror dhe jo vetëm si për një dashuri individuale të veçantë.

Ky libër që mban një peshë të madhe si dashuria, nuk eksploron vetëm dashurinë në çift, por edhe atë vëllazërore, amënore/atërore, erotike, për vetveten dhe Zotin.
Në çdo lloj stadi të jetës të jetë lexuesi që do marr në dorë këtë libër, do i shërbejë fortë dhe do nxjerrë refleksione që do e shoqërojnë në çdo marrëdhënie që ai do të ketë.

———————————

Në vazhdim ObserverKult ua sjell një paragraf ilustrues sa për të hyrë në ‘atmosferën” e librit:

Dashuria do të thotë ti besosh vetes pa garanci, ta japësh veten plotësisht tek shpresa se dashuria e juaj do të prodhojë dashuri tek personi që e dashuroni.

Dashuria është një akt besimi. Kush beson pak, dashuron pak.”/ ObserverKult