Gabriel Garsia Markez: Ishte apo s’ishte dashuri?

Pas mesit të natës muzika pushoi, rrëmuja e pasagjerëve u davarit dhe u shpërbë në pëshpërima të përgjumura, ndërsa të dy zemrat mbetën vetëm në taracën e mugët, duke jetuar nën ritmin e gulcimeve të anijes.
Pas një copë here të gjatë, ai e vështroi Fermina Dasën. Në vezullimin e lumit iu duk si fantazmë, me një profil statuje që ëmbëlsohej nga një shkëlqim i vakët kaltërosh, dhe zbuloi se ajo po qante në heshtje.
Por në vend që ta ngushëllonte ose të priste që t’i shteronin lotët, siç donte ajo, e pushtoi frika.
– Mos do të rrish vetëm? – e pyeti.
– Po të qe ashtu, s’do të kisha thënë të vije brenda, – i tha ajo.
Atëherë, ai zgjati gishtërinjtë e kallkanosur në errësirë, kërkoi verbazi dorën e saj dhe e gjeti që po e priste. Të dy qenë aq mendjekthjellët, sa t’ia pohonin vetes në një çast-vetëtime, se asnjëra nga ato duar eshtake të plakura, nuk ishte ajo dorë qe e patën përfytyruar përpara se ta preknin.
Por, një çast më vonë, ato duar u bënë vërtet ashtu siç i patën përfytyruar. Dhe kur ajo zuri ti fliste për të shoqin e vdekur, në kohën e tashme, sikur të qe gjallë, Florentino Ariza e kuptoi se edhe për Ferminën kishte ardhur ora që ta pyeste me dinjitet, me madhështi e me një dëshirë të pamposhtur jete, se ç’do të bënte me atë dashuri që i kishte mbetur pa zot.
Fermina nuk reshti së tymosuri që të mos lëshonte dorën që mbante të sajën. E kishte pushtuar tej e tej vetëm një dëshirë: të kuptonte!
Nuk mund të përfytyronte burrë më të mirë se ai që kishte pasur, e megjithatë kur rikujtonte jetën e saj, gjente më tepër gjëra të bezdisshme sesa të këndshme: shumë shpesh kishte munguar mirëkuptimi reciprok, kishte pasur zënka të kota dhe mëri qe mezi fashiteshin.
Befas, ajo psherëtiu:– Mezi të besohet, ta marrë djalli, ta marrë.
Kur e mendon se si mund të jesh aq e lumtur për vite me radhë, mes aq shumë budallallëqesh e grindjesh, pa marrë dot vesh me saktësi, nëse ishte apo s’ishte dashuri ajo!…

*Fragment nga “Dashuri në kohërat e kolerës”

ObserverKult