Gajraku: Qeveria duhet të ketë në fokus Bibliotekën Kombëtare për të finalizuar projektet infrastrukturore

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, ka thënë se Qeveria duhet të ketë në fokus Bibliotekën Kombëtare për të finalizuar projektet infrastrukturore.

Ai theksoi se infrastruktura ka qenë shumë e dëmtuar.

“Biblioteka Kombëtare menjëherë pas luftës ka pasur vështirësi të jashtëzakonshme, pasi ka pasur administrim të dhunshëm serb. Jam punëtor i Bibliotekës nga viti 2003. Në fushën e infrastrukturës ka qenë mjaft e dëmtuar, kemi pasur telashe me drenazhimin, në pjesën ku janë vendosur librat. Disa prej objektivave janë realizuar në këtë fushë. Këto duhet të bëhen nga një fokus i qeverisë dhe çfarëdo ndryshimi në këtë fushë është meritë e qeverive që kanë qenë në vazhdimësi”, tha Gajraku në “Express Intervistën” në KTV.

Gajraku shtoi se fokusin më të madhte Biblioteka e ka pasur Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa.

“Në kohën e qeverisë Mustafa kishte një gatishmëri për të rehabilituar objektin, na janë drejtuar se ai keni projektet, e ne nuk e kemi pasur asnjë hartim të projektit. Më 2015 pastaj kemi bërë hartimin e projekteve në infrastrukturë. Në momentin kur janë hartuar kanë filluar edhe investimet, sistemi i ngrohjes dhe ftohjes tani është në rregull. Ka filluar dhe pritet të përfundojë izolimi i kulmit të rrafshët, e drenazhimi është projekti tjetër me gjithë sistemin e ujësjellësit dhe ai i mbrojtjes kundër zjarrit dhe të gjitha këto janë projekte urgjente”, është shprehur Gajraku.

Gajraku theksoi se kanë krijuar ekipe emergjente dhe janë mësuar me u mbrojt, derisa shton se fati ka qenë që s’ka pasur vërshime të stuhishme për të pasur pasoja të mëdha.

“Por, po presim që ky investim në infrastrukturë të jetë fokus edhe i kësaj qeverie”, u shpreh ai.

Sipas tij njëra ndër projektet që është drejt përfundimit është ai për kopjen arkivore.

“Gjatë mandatit të parë kemi hyrë për të bërë një analizë ta rregullojmë Arkivin kopjen arkivore që ruhet si kopje e veçantë, pra për të mos pasur askush qasje dhe që ruhet si trashëgimi kulturore. Na është dashtë që të gjitha botimet e Kosovës nga viti 1943 e deri më tani të bëjmë në kopje të përgjithshme. Ato që s’kanë qenë në kopjen arkivore i kemi marrë nga ajo e përgjithshmja. Është bërë një punë e mundshme por ia kemi dalë, sepse po flasim për një status të kopjes arkivore. Kjo na ka lehtësuar për të hyrë në një fazë prej së cilës furnizohemi nga kopja arkivore se cilat janë botimet shqip për të parë se në çfarë ka dhe çfarë jo. Mbi 5 mijë tituj nuk kanë qenë në bibliografinë e Librit Shqip. Kemi mbi 17-18 mijë tituj që janë evidentuar deri më 2015. Po, flasim për një histori të librit në shqip nga 1943-1999 dhe në total mund të jenë mbi 20 mijë tituj. Tani ky projekt është në përfundim të saj”, u shpreh Gajraku.

Tani thotë se kanë një plan strategjik me ndihmën e një eksperti amerikan.

“Ne nuk kemi pasur plan strategjik. Ne kemi punuar me një plan pune shumë detajizues shpeshherë i ndërtuar në parametra shumë të gjerë të cilin s’kemi mundur ta arrijmë. Tani kemi hartuar një plan me një ekspert amerikan. Ky plan që është hartuar ka përcaktuar se kah do duhet të shkohet Biblioteka në pesë vitet e ardhshme. Eksperti ka trajtuar me saktësi problemet që kemi dhe ato që mund të arrihen me kapacitetet që kemi. Po presim që në mars të kemi edhe vërejtjet e tjera”, u shpreh Gajraku.

Tutje ai ka folur edhe për dixhitalizimin, për të cilin thotë se nuk kanë kapacitete.

“Dixhitalizimi është një proces i vështirë. Do të duhej që neve të na monitorojnë mediat e shoqëria civile, kemi kapacitete të vogla dhe po ecim ngadalë. Tani janë afërsisht 2-3 veta që sa përqendrohen në këtë do të duhej të punonin edhe diçka tjetër. Kemi disa oferta nga kompani të tjera që kanë oferta për dixhitalizimin, jemi në komunikim dhe duhet të shohim se çfarë mund të arrihet”, ka thënë ai.

Gajraku ka shtuar se momentalisht nuk kanë ndonjë hapësirë të dedikuar për fëmijët.

“Ende nuk kemi hapësirë dedikuar fëmijëve, të cilët do të mund të vinin në nivel loje dhe atraksione që të kenë shërbime nga Biblioteka. Në këtë planin strategjik nuk është paraparë kjo. Nëse ne do të kemi projekte menjëherë do të jemi të gatshëm për të shqyrtuar një projekt të tillë. Ne kemi çdo ditë vizita nga nxënësit që informohen se si duhet të përdorin bibliotekën”, ka thënë Gajraku.