“Galaktika e Andromedës” i More Raçës fiton çmimin “Glocal in Progres”

Filmi debutues i More Raçës, “Galaktika e Andromedës” fiton çmimin “Glocal in Pogress” në kuadër të festivalit ndërkombëtar të San Sebastianit, në Spanjë, bën të ditur Qendra Kinematografike e Kosovës përmes një njoftimi për media.

Filmi Galaktika e Andromedës ka për subjekt Shpëtimin, një baba të vetëm, mbi të cilin rëndojnë problemet sociale dhe dilema të mbetet apo jo kujdestar i vajzës së tij.

Me rastin e marrjes së çmimit regjisorja u shpreh se “Filmi është pritur jashtëzakonisht mirë nga producentët dhe kompanitë më prestigjioze të filmit. Jemi shumë të kënaqur nga kjo pjesëmarrje, është një konfirmim i madh për vlerën e filmit dhe rrugëtimin e suksesshëm në festivale.”

Filmi është prodhim i shtëpisë filmike Arena me producent Sunaj Raçën, dhe është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës.