Galeria Kombëtare prezanton këndin me punët e Shyqri Nimanit

Në nderim të veprës së artistit dhe profesorit, Shyqri Nimani, GKK-ja prezanton për publikun këndin me punën e tij nga arkivi dhe koleksioni i saj.
Nimani ushtroi detyrën si drejtor në Galerinë Kombëtare të Kosovës për 10 vjet,

Ai ndërroi jetë më 22 qershor të këtij viti, duke lënë pas vetes një bagazh të madh të punës së tij artistike.

“Shyqri Nimani u lind në vitin 1941, në Shkodër, Shqipëri. Nimani njihet si dizajneri i parë grafik. Po ashtu është një ndër themeluesit e departamentit të Dizajnit Grafik në Fakultetin e Arteve. Nimani diplomoi nga Akademia e Arteve Aplikative në Beograd, me 1967, në seksionin e librit. Kreu studimet postdiplomike në vitin 1969 në të njëjtin universitet.
Vazhdoi hulumtimin e tij artistik në Japoni në periudhën 1976-78.
Më 1979, ai u bë drejtori i parë i Galerisë Kombëtare të Kosovës. Detyrën e ushtroi për 10 vite. Përgjatë këtyre viteve kontribuoi në krijimin e koleksionit, arkivës dhe identitetin vizual të GKK-së apo siç njihej në atë kohë si Galeria e Prishtinës”, thuhet në përkujtimin e galerisë.

Artdashësit e interesuar për ta parë këndin me punët e Nimanit, mund ta bëjnë atë nga e marta në të premten nga ora 10:00 deri në orën 18:00 dhe nga e shtuna në të dielën nga ora 10:00 deri në orën 17:00.

ObserverKult


Lexo edhe:

NDAHET NGA JETA PIKTORI I NJOHUR, SHYQRI NIMANI

U nda nga jeta piktori dhe profesori i artit, Shyqri Nimani.

Lajmin për vdekjen e tij, e ka bërë me dije, djali i tij, Alban Nimani në rrjetet sociale.

Kujtojmë vetëm disa nga veprat e tij, si dorëshkrimin e artë në aktin themeltar të shtetit tonë, Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, krijimin e logos identifikuese të Grand Hotelit, Kosova Filmit deri tek simboli i Universitetit të Prishtinës…

Tekstin e plotë e gjeni KËTU