Gani Mehmetaj: Ulpiana e shkëlqimit farfuritës

Nga Gani Mehmetaj

(Nga libri Qytetet e Ilirise) 2019

Kur i lexon autorët antikë për Ulpianën, edhe po të ishe nga Skandinavia e ftohtë, s’ke si t’i shmangesh një aventure që të kthen në qytetin e Justinianit dardan (Justiniana Sekunda është emri tjetër për Ulpianën antike).

Nami i vendit të joshë ngado që të jesh. Kështu më ndodhi edhe shumë vjet më parë kur e vizituam me gjimnazistët e Pejës (1974) Greqinë.

Bëmë edhe qindra kilometra të tjera nga Athina që të shihnim amfiteatrin e famshëm të Epidaurusit, sepse kishim dëgjuar shumë për të.

Pamë një mrekulli, sprovuam veten sa ishim dashnorë të pasionuar e aktorë, ndërsa recitonim vargjet e Shekspirit, në skenën e amfiteatrit. Shoqet tona shkriheshin gazit, ndërsa ne skuqeshim nga emocionet, sepse vërtet mendonim për ndonjërën nga to ashtu si deklamonim.

Provokimi që ta vizitosh Ulpianën është edhe më i madh, kur e ke vetëm tetë kilometra larg Prishtinës. Por, të kalosh nëpër katundin e kolonëve serbo-romë të Graçanicës për herë të parë, ka rrezik të kthehesh mbrapshtë nga ndjenja e pakëndshme e rrëmujës urbanistike, dyqaneve të varfra e banorëve që e ndiejnë veten të huaj në katundin që ua falën, por nuk ia dinë vlerën, sepse nuk e mirëmbajnë. Qasja nga Shkupi e Prizreni në qytetin antik rrugës së re është më e mirë.

Ulpiana të jep ndjenjën e një perle të braktisur me shekuj. Në qytetin antik nuk ka jetë, vendbanimi është shuar.

Derisa futesha brenda mureve, u krodha në të kaluarën, nisa të depërtoja përtej perdes së tejdukshme imagjinare me dardanët në ritualin e mëngjesit. Gratë e devotshme luteshin në faltore, burrat nisnin ecejaket nëpër rrugët e shtruara me gurë të lëmuar, parakalonin aristokratët me shpurë, kalorësit vraponin në ethe drejt portave kryesore, dyqanet hapnin dyert për blerës, tutje dëgjohej krisma e çekanëve që lakonin metalin fisnik, bënin zbukurime nga ari e argjendi.

– Mjesi nisi mbroth! – më tha ciceroni dardan i para tri mijë vjetësh, ndërsa më rrëfente mua, stërnipit të tij. – Po, pak para mjesit, dikush u përpoq të kaptonte muranën e naltë! Me ta pikasur ushtari majë kështjelle, dha kushtrimin. Kalorësit iu vunë mbas hijeve që deshën t’i hapnin dyert e mëdha.

Nuk ma tha asnjë fjalë për ankthin, frikën, rrëmujën, të plagosurit a të vrarit. Por kryesorja për të, mjesi nisi mbroth.

Më iku ciceroni, u shkri prapa perdes së tejdukshme. Pastaj prapë më përziheshin kohët: arkeologu H. Mehmetaj, që më bënte shoqëri, ndërsa e njihte qytetin më mirë se kushdo tjetër, meqë kishte hulumtuar disa vjet, më ngatërrohej me ciceronin e antikës. Zëri i tij më vinte si nga lashtësia: 

– Ulpiana është rindërtuar mbi themelet e qytetit të parahistorisë që i takonte Mbretërisë së Dardanisë. Romakët e pushtuan në shekullin I pas Krishtit dhe e shtrinë pushtetin e tyre në Dardani. Ulpiana ngrihet në një qytet të pasur e të zhvilluar të kohës, ndër më të ndritshmit në Gadishullin Ilirik.

Tërmeti shkatërrimtar që e goditi Dardaninë në vitin 518 kishte shkaktuar rrënime të mëdha. Ndërsa perandori dardan Justiniani e rindërtoi, duke e pagëzuar Justiniana Sekunda.

Qyteti të imponohet me hapësirën (mbi 35 hektarë sipërfaqe të brendshme), të rrethuar me mure të gjera deri në 3 metra e të larta 10 metra, me nga dy kulla gjysmërrethi në çdo 27.5 m, që vrojtonin tutje horizontin.

Ulpiana së bashku me paralagjet, varrezat e qytetit e me Justinopolin, ishin metropole të mëdha me 120 hektarë, me pallate të bukura, shtruar me mozaik, të zbukuruara me zaje, kishte qendrën zejtare, punëtorinë e farkimit të monedhave cilësore, dy bazilika (kisha) të mëdha, një faltore pagane fare pranë bazilikës.

Kushtimi i burrit ndaj gruas së dashur

Ka rrëfime tronditëse nga Ulpiana e Dardanisë. Nga larg më vjen jehona për fundin tragjik të gruas së re. Është një kushtim para dy mijë vjetësh që nxit fantazinë dhe provokon me shpalimin e një dashurie të kohës së shkuar.

Më duket sikur më shpalohet pergamena e shkruar nga arkeologu i sotëm. “Guri i varrit kushtuar Elia Klementilës, të ndërtuar nga burri i saj Aurel Major, përveç që përmban një portret të një gruaje të vdekur në moshën 17-vjeçare, po ashtu përmban edhe një dorëshkrim në gjuhën latine.

Dorëshkrimi thotë:  Elia ka qenë një femër e jashtëzakonshme që vdiq në moshën 17-vjeçare, ndërsa përmendorja është ngritur nga burri i saj për shkak të virtyteve që kishte.

Dëshmi tjetër nuk kemi, me del shkrimi i pergamenës. Nuk e dimë kush ishte gruaja e re Elia Klementila, as kush ishte burri Aurel Major, pos që i takonin aristokracisë vendëse, sepse kushtime të tilla bënin vetëm të kamurit.  

Princesha gote dhe princi

Në Ulpianë, vazhdon shkrimi, është zbuluar varri i princeshës gote e fillimit të shekullit VI. Gjykuar sipas stolive të traditave ilire të epokës së hekurit kishte lidhur kurorë me një princ dardan.

Ç’deshi princesha gote nga skaji i Evropës, në skajin tjetër të kontinentit? Erdhi nga dashuria, kaptoi bjeshkë e dete si në përralla? U bë nuse dardane, sepse donte të afronte dy popujt e të pajtonte armiqësitë? Motivet mbeten fshehtësi, por faktet janë aty.

Kulti i kalorësit dardan është rrëfim në vete. Ai ishte një lloj hyjnie që i mbronte kalorësit e Dardanisë, ndërsa kalorësit e Dardanisë ishin krenaria e mbretërisë dhe forca goditëse jo vetëm në Gadishullin Ilirik, por ata luftuan nga Panonia në Skithi e Siri.

Amfiteatri i Ulpianës?

Kur e përmendi teatrin në bazë të gjetjeve të relieveve të aktorëve me maska komike dhe gjetjen e kokës së mermerit të aktorit me maskë tragjike të satirëve, ai më rizgjoi edhe një herë nga shushatja, sepse Haxhiu ishte i sigurt se teatri antik ishte sipër, në kodër, një kilometër e gjysmë nga qendra e Ulpianës, ndërsa duhej bërë hulumtime të reja që të zbulohej.

Imagjinata vrik më dërgoi në amfiteatrin e Butrintit, ku dikur recitoja për gallatë vargjet e Shekspirit “Thuaj yjet janë zjarr, thuaj dielli u shua, thuaj jeta është varr, por mos thuaj që s’të dua”, ndërsa vajza ime e gruaja shkriheshin gazit, duke më duartrokitur për talentin e pazbuluar të aktorit.

Sa do të mrekulloheshin sikur ta zbulonin sa më parë amfiteatrin në Ulpianë, ndërsa unë do të deklamoja copëza poezish nga shkrimtarë të famshëm para auditorit të familjes sime. Një festival po të mbahej në këtë qytet në çdo fillimvere, do të ishte ngjarje e veçantë.

Martirët Flori dhe Lauri

Ulpiana nuk ka vetëm rrëfime për princër e princesha, për amfiteatrin antik, për aktorët me maska, për aristokracinë e kamur që bënte jetë luksi.

Nga Ulpiana u shpërnda rrëfimi i trishtë për vuajtjet e flijimin e dy martirëve vendës, që i vranë, sepse e përhapnin fenë e krishterë. Bëmat e tyre pastaj morën dheun, u përhapën në Gadishullin Ilirik e më tutje.

Sipas kronikave, sundimtari i qytetit i kapi dy përhapësit e fesë së re, i arrestoi, i urdhëroi të hiqnin dorë nga feja e tyre që të shpëtonin jetën, por ata nuk pranuan me asnjë çmim të mohonin asgjë.

Dy fatkëqijtë quheshin Flori dhe Lauri. Thuhet se i ekzekutuan publikisht, nën akuzën se e përhapnin një fe të panjohur e të huaj për vendësit, se mohonin perënditë romake e ilire, madje i akuzuan se i kanë përdhosur shtatoret e hyjnive në Ulpianë.

Sheshi i qytetit të Ulpianës u bë gjykatore. Turma qëndroi në heshtje një kohë të gjatë derisa bëhej gjyqi. Sikur nuk u besonte prokurorëve. Megjithatë, turma e tumiri vrasjen e Florit e Laurit. Më vonë u penduan.

Në qytet shpërthyen pakënaqësitë, por nuk pati trazira të përgjakshme. Banorët pëshpëritnin se vrasja e tyre ishte e panevojshme.

“Pse sundimtarët tanë duhej t’u shkonim për shtat romakëve që u treguan mizorë ndaj hyjnive ilire?”, – pyesnin me pëshpërima më të guximshmit.

Sundimtari i qytetit që të mos kishte trazira i dëboi jashtë mureve të kështjellës mbështetësit e dy martirëve të krishterë.

Shumë dardanë u shkonin prapa, i dëgjonin predikimet e tyre, disa u pagëzuan në përroskën afër qytetit nga një burrë me mjekër të gjatë. Pagëzimet ndiqeshin me kërshëri nga muret e kështjellës.

Arkeologu H. Mehmetaj, që ka hulumtuar disa vjet në këtë qytet dhe që ka nxjerrë artefakte me vlerë nga parahistoria e antika, për shenjtorët shkruan: “Në mesin e shek. II në Ulpianë nga administratori dardan Licin ishin flijuar Flori dhe Lauri, dy martirët e përhapjes së krishterimit”.

Dy shekuj më vonë, për ironi, Ulpiana u bë seli ipeshkvnore, ku u zhvilluan ngjarje dramatike në lëvizjet e krishterimit, madje u bënë luftëra të përgjakshme për njërën apo dogmën tjetër.

Në Koncilin e Sardikës (343) është i njohur edhe emri i ipeshkvit nga ky qytet,  që në aktet e këtij koncili njihet me emrin Mecedonius a Dardania de Ulpianis, shkruan Gjon  Berisha, duke iu referuar E. Hoxhajt.

Sipas Berishës, Ipeshkvi i Ulpianës luajti rol të rëndësishëm në fërkimet fetare që u bënë në kohën e Justinianit. Kështu, Prokopi njoftonte se konflikti fetar në Ulpianë ishte i lidhur me mospajtimet për ‘Tre kapitujt’. Madje Ulpiana paraqitej si qendër kryengritëse, ndërsa u dërguan ushtarë që ta qetësonin.

Ku është Justinopoli?

“Perandori Justinian rindërtoi muret dhe objektet e rrënuara, ndërsa në shenjë mirënjohjeje Ulpiana u pagëzua me emër të ri, Justiniana Secunda (Justiniana e Dytë)”, shkruan arkeologu Mehmetaj, i cili thotë se rreth 50 m në lindje të Ulpianës në shekullin VI ishte ngritur një vendbanim i fortifikuar, që ai e identifikon me qytetin Justinopol, të cilin perandori me origjinë dardane, Justiniani, e ngriti për nder të dajës së tij, Justinit.

Vendbanimet dardane nga parahistoria, antika e mesjeta janë shtrirë edhe jashtë hapësirës prej 120 hektarësh, por nuk ishin të mbrojtura  me mure rrethuese e kulla vrojtimi.

Mesjeta nuk i dha shkëlqimin e rrezatimin e pritur qytetit të parahistorisë e të antikës. Ulpianën sikur e mbuloi muri i heshtjes, u errësua zhvillimi e lavdia.

Në afërsi të qytetit, mbi themelet e kishës paleokristiane është ndërtuar kisha në Gracanicë, në muret e së cilës janë murosur stelat dardane e gurët nga qyteti i vjetër. Kisha katolike u rindërtua, u rinovua, madje u transformua (shpërfytyrua), ndërsa është shndërruar pas vitit 1913 në faltore të serbëve. Së fundmi u rrethua me mure të larta të tipit bunker.

Ulpiana përmendet për herë të fundit në shekullin XI nga perandori bizantin, Basili i Dytë, më 1020, në Krisobulën perandorake, shkruan Gj. Berisha në librin “Arbërorët”.

A u shua jeta në Ulpianë pas kësaj kohe? Pse?  E humbi rëndësinë strategjike, ekonomike e kulturore ky qytet i lulëzuar?

Ulpiana sot është e heshtur, vetëm vizitorët, zëri i ciceronit apo makinat që kalojnë pak më larg nëpër rrugën e asfaltuar e prishin qetësinë shekullore.

Të gjitha rrugët nga Shkupi, Prizreni e Prishtina shpijnë në Ulpianë, jo në Romë. Ndiqni shigjetat e rrugës e do të bindeni.

ObserverKult  


gani mehmetaj

Lexo edhe:

ROMANI “ZOGJTË E QYQES” I SHKRIMTARIT, GANI MEHMETAJ FITON ÇMIMIN “KADARE”

Romani “Zogjtë e qyqes” i autorit Gani Mehmetaj shpallet fituesi i Çmimit letrar “Kadare 2021” ndërsa 5 finalistët e kësaj gare me dorëshkrime në prozë ishin autorët Behar Jacaj, Ballsor Hoxha, Arbër Ahmetaj dhe Marcel Hila.

Gazetar, publicist, shkrimtar, dramaturg dhe kineast, Gani Mehmetaj, (1955), ka lindur në Pejë, është autor i një numri veprash.

“Zogjtë e qyqes” është rrëfim intrigues për njerëzit dhe kohën, për dashurinë dhe urrejtjen, për shpresat dhe zhgënjimin. Një kolon serb, ndërsa mund të jetë kolon i cilitdo komb. Përmes situatave e veprimeve, dialogut e përsiatjeve. Paraqet kronikën dyzetvjeçare të ngjarjeve. Fatin e ardhacakëve dhe fatkeqësitë e vendësve.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult