Në Borje të Kukësit u festua dita e Shën Gjergjit, festë kjo që kremton fundin e dimrit dhe ardhjen e pranverës.
Në aktivitetet e zhvilluara me rastin e kësaj feste ishte e pranishme edhe Gerta Duraku, deputetja e sapozgjedhur e PS-së në qarkun e Kukësit, si dhe banorë të zonës.
E kthyer në një festë tradicionale, në këtë ditë të rinjtë e këtij fshati zhvilluan gara me kuaj, ndeshje sportive, si dhe kërcyen vallet tradicionale të zonës.
Kjo festë aq e dashur për vendasit, përveç karakterit ritual, përtërirjes së natyrës, ka fituar edhe karakterin e festës së të rinjve, duke u bërë pjesë e jetës së tyre.
Shën Gjergji, kjo festë pagane, kremtohet më 6 maj sipas kalendarit gregorian dhe shënon ardhjen e pranverës në mënyrën më festive të mundshme.
Festa e Shën Gjergjit bashkon katolikë, ortodoksë dhe myslimanë të cilët besojnë se ajo sjell gëzim dhe begati. Traditat festive janë të larmishme në secilin prej vendeve ku festohet./ATSH